Konsumatorët zgjedhin produktet e përdorura – Industria e këtyre mallrave dyfishohet në 351 miliardë dollarë

Me inflacionin në rritje, gjithnjë e më shumë konsumatorë po zgjedhin të blejnë veshje, këpucë dhe aksesorë të përdorur, duke e shtyrë industrinë ‘e kursimeve’ në 177 miliardë dollarë në shitje globale vitin e kaluar, tregon një raport.

Kjo është një rritje prej 28% krahasuar me vitin 2021, e nxitur si nga inflacioni i lartë, ashtu edhe nga rritja e shitjeve me pakicë, por edhe nga një ndërgjegjësim në rritje për zakonet e qëndrueshme të blerjeve.

Në fakt, parashikimet flasin për rritje të mëtejshme. Raporti parashikon se industria e dorës së dytë do të dyfishohet praktikisht në 351 miliardë dollarë në shitjet globale deri në vitin 2027. Në një kohë kur konsumatorët kanë filluar të vlerësojnë vlerën e tregut të dorës së dytë dhe emrat e markave po e marrin gjithnjë e më seriozisht çështjen e rishitjes.

Kompanitë e modës që duan të reduktojnë emetimet e gazit, si dhe të përmirësojnë gjurmën e tyre ekologjike për sa i përket përdorimit të ujit dhe plastikës, mund të përpiqen t’i adresojnë këto çështje në të njëjtën kohë duke mbështetur përdorimin e vazhdueshëm të produkteve të tyre ekzistuese përmes rishitjes, duke siguruar të ardhura shtesë.

Megjithatë mbetet ende një pikëpyetje, nëse rritja e modeleve të biznesit të dorës së dytë do të rezultojë në një reduktim të numrit të produkteve të reja të prodhuara ose kërkesës së konsumatorit për mallra të reja.

Blerësit më të tërhequr nga rishitja janë brezat e rinj. Sipas një sondazhi të GlobalData me afro 3000 të rritur në SHBA, 83% e të anketuarve të moshës së re thanë se kanë blerë veshje të përdorura ose janë të hapur ndaj tyre. Të njëjtët konsumatorë kanë nxitur kryesisht rritjen e modës së shpejtë dhe ultra të shpejtë, gjë që shpjegon pse edhe kompanitë e mëdha të modës së shpejtë tani po përqafojnë shitjet e dorës së dytë në dyqane dhe në internet.

/SCAN

Lexo gjithashtu
Total
0
Share