Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropalin, duke u shprehur se këto dy vende kanë marrëdhënie të mëdha bashkëpunimi, raporton Ekonomia Online.
Ai është shprehur se Shqipëria është e paplotë pa Kosovën, duke u shprehur se qytetarët e Kosovës “kanë luftuar me dekada për Shqipërinë”.
“Kuvendet tona kanë përgjegjësinë e përafrimit të institucioneve tona. Marrëdhënien me Shqipërinë e shohim përtej raporteve ndërshtetërore shumica e kosovarëve nuk i referohet Shqipërisë si shtet fqinjë, po ta pyesësh një kosovar kur shkon në Shqipëri nuk thotë po shkoj në një shtet fqinjë por po shkoj te mëmë Shqipëria. Shqiptarët e Kosovës kanë luftuar me dekada për bashkim, Shqipëria ka merita të mëdha në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në takimin që e patëm ne shikuam të gjitha mundësitë që mund të shfrytëzojmë që të mbështesim vendet tona në rrugën e forcimit dhe integrimit. Kosova vazhdon të ketë nevojë në mbështetjen e Shqipërisë. Duke filluar prej votimit te suksesshëm, ku Kosova e ngriti statusin e vet kjo nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë. Këto suksese që i arrijmë gjithmonë i shohim edhe me mbështetjen e Shqipërisë”, ka thënë Konjufca.