Një trazirë që ka shpërthyer në burgun e grave në Honduras, ka shkaktuar 41 viktima.
Sipas BBC News, sherri ka nisur si një përleshje mes bandave, pas së cilës njëra nga bandat ka djegur një qeli të burgut. Zyrtarët kanë deklaruar se zjarri i rënë në qeli ka shkaktuar pjesën më të madhe të viktimave, por disa prej të burgosurave u qëlluan për vdekje.
Zëvendësministrja e Sigurisë e vendit, Julissa Villanueva, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka premtuar se do të godasë dhunën. Ajo autorizoi gjithashtu ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve, policisë dhe ushtrisë.
“Humbja e jetëve njerëzore nuk do të tolerohet,” tha Zv/ministrja e Sigurisë, Villanueva.
Mes të burgosurve ka edhe të lënduar, të cilët janë dërguar për ndihmë më të specializuar në spital.
Mbetet e paqartë nëse të gjithë të vrarët ishin të burgosur të burgut apo edhe punonjës të sigurisë. Në këtë burg, vuajnë dënimin rreth 900 persona.
Hondurasi është i njohur për korrupsionin dhe dhunën e bandave, të cilat kanë depërtuar dhe në institucionet qeveritare. Ky vend është po ashtu një rrugë kryesore tranziti për kokainën që vjen nga Amerika e Jugut dhe SHBA.
Po ashtu, Hondurasi ka një histori trazirash vdekjeprurëse në burgje, të cilat shpesh lidhen me krimin e organizuar./tvklan.al