Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se ka një marrëveshje paraprake midis Izraelit dhe Hamasit. Sipas burimeve të mediave të huaja, kushti për marrëveshjen është që Hamasi të lirojë 50 pengje, kryesisht gra dhe fëmijë në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë.
Ndërkohë, Presidenti, Joe Biden është shprehur se një marrëveshje për lirimin e pengjeve është shumë afër.
“Ne kemi punuar intensivisht për këtë për javë të tëra, siç e dini të gjithë. Ekipi im ka qenë në rajon duke lëvizur midis kryeqyteteve. Tani jemi shumë afër, shumë afër”, tha Biden për gazetarët.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po zhvillon takim me kabinetin e tij të luftës dhe pritet të takohet me këshillin e sigurisë dhe kabinetin qeveritar më vonë gjatë mbrëmjes së sotme.
Një zyrtar i lartë izraelit thotë për prestigjiozen BBC News se një marrëveshje për lirimin e pengjeve ka gjasa të ndodhë dhe sipas saj, 50 izraelitë do të lirohen brenda 4 ditësh, pra 12 prej tyre çdo ditë deri në përfundim të afatit të vendosur.
Zyrtari i lartë izraelit thotë se të gjitha organet e sigurisë izraelite, si dhe ushtria dhe shërbimet e inteligjencës, janë në favor të marrëveshjes së propozuar pasi kanë refuzuar një të mëparshme që ishte ndërmjetësuar nga Katari./tvklan.al