Konferencë: Nga kriza në krizë – si të rimëkëmbet ekonomia?!

BEXHETI: “EKONOMIA ENDE ËSHTË NË FAZËN E SFIDAVE TË QËNDRUESHMËRISË”

Në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë në UEJL u organizua Konferencën e 6-të Shkencore Ndërkombëtare për Biznesin dhe Ekonominë me temë “Rimëkëmbja Ekonomike, Konsolidimi Dhe Rritja E Qëndrueshme: Kriza-2- Dëshmi, Debate Dhe Perspektivat”, njofton KlanM.

Sa është goditur ekonomia pas krizave të njëpasnjëshme që goditën vendin? Krizat nisën me pandeminë, për të vazhduar me pasigurinë ekonomike pas agresionit rus në Ukrainë.

Profesorë universitarë, ekspertë dhe ekonomistë në UEJL, sic njofton KlanM, do të përpiqen të japin përgjigje nëse ka nis rimëkëmbja ekonomike pas krizave të vazhdueshme.

“Ende jemi në fazën e rimëkëmbjes së ekonomisë sepse ju e dini se viti 2022 ishte me norma pozitive të rritjes ekonomike në rrafsh global dhe regjionit po ashtu por akoma jemi në fazën e ashtu quajtur të resiliencës apo në fazën e sfidave të qëndrueshmërisë së kësaj rritje ekonomike, sepse normat lëvizin diku 3 dhe 4 % që janë norma të pa mjaftueshme për regjionin dhe për vendin posaçërisht” – tha Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së.

Në këtë konferencë ekonomike, sic njofton KlanM, do të trajtohet një gamë e gjerë fushash të rëndësishme për çështjet bashkëkohore të biznesit dhe ekonomisë si goditjet ekonomike, inflacioni i lartë, kriza energjetike, Covid-19, perspektivat e rritjes, parashikimi ekonomik, tregu i punës, pabarazitë gjinore, migrimi, sipërmarrja dhe bizneset familjare.

Studiuesit do të kenë mundësinë të diskutojnë sfidat dhe perspektivat e reja të biznesit dhe ekonomisë në perspektivën e rimëkëmbjes ekonomike pas krizës, konsolidimit dhe stabilitetit. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share