Komuna e Tetovës do të paguajë rrogat e punëtorëve të NPK-së

Katër muaj punojnë pa rroga. Shumica prej tyre janë punëtorë të higjienës komunale, inkasant në Ndërmarrjen Publike Komunale të Tetovës. Bëhet fjalë për rreth 200 punëtorë të operativës së kësaj ndërmarrje që janë me kontratë në vepër. Kjo, ka detyruar krerët e ndërmarrjes të kërkojnë ndihmë prej komunës së Tetovës, e cila është themeluese e ndërmarrjes. Kjo ndërmarrje kërkon rreth 400 mijë euro nga komuna e Tetovës që të fillojë të shlyejë borxhet ndaj këtyre punëtorëve.

Deri në këtë situatë ka ardhur si pasojë e mos pagesës së faturave nga ana e qytetarëve, pasi që sipas përfaqësuesve të kësaj ndërmarrje qytetarët e Tetovës gjithsej i kanë borxh mbi 9 milionë euro ndërmarrjes, kryesisht fatura të papaguara për mbeturina dhe ujin e pijshëm. Niveli i pagesës është në masën 25 për qind, që është pagesa më e ulët ndër vite, por arsyetimi ishte shkaku i pandemisë, që ka bërë gjithnjë të ulet përqindja e pagesave.

“Kërkojmë ndihmën e komunës sepse janë rritur çmimet naftës, çmimet e rrymës, kurse niveli i pagesës së qytetarëve është 25 për qind.Pra, nëse brenda muaji, harxhimet janë 22 milionë denarë, ne inkasojmë vetëm 18 milion denarë. Pra, gjatë funksionimit të ndërmarrjes në nivel mujor ne kemi humbje prej katër milionë denarë, kurse pikërisht ata punëtorë që mirëmbajnë higjienën publike, inkasantët e kështu me rradhë tashmë katër muaj janë pa rroga”, arsyetoi kërkesën Lulzim Shaqiri, përfaqësues i NPK-së. Për këtë kërkesë, ishte thirrur një seancë e jashtëzakonshme e këshillit të komunës së Tetovës. Këshilltarët e opozitës kishin shumë pyetje rreth kësaj situate duke kërkuar sqarime të detajuara për gjendjen në këtë ndërmarrje, duke kërkuar listën e puntorëve me kontratë në vepër, sepse kishin dyshime për keqpërdorime.

Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi, duke përshkruar situatën në ndërmarrje tha se në sektorin e financave do të dorëzohet një listë me punëtorët që kanë mbetur pa rroga. Sipas tij, pritet që të në të ardhmen të punohet në atë drejtim që këta punëtorë që janë me kontrata në vepër të marrin vendime. “Këshilli i komunës ka refuzuar më herët që të të jap vendime për 25 punëtorë të administratës, pasi që është kërkuar një sistematizim i ri dhe në të ardhmen edhe punëtorët e operativës të marrin vendime”, tha Durimishi, duke akuzuar udhëheqësinë paraprake të komunës që nuk ka zgjidhur këtë çështje.

Pas shumë debateve, tensioneve dhe përplasjeve mes këshilltarëve, opozita vendosi që të lëshojë seancën duke kërkuar plan të detajuar financiar dhe mënyrën e pagesës.“Ne kërkuam të jepet një raport i detajuar për fondet që kërkon kjo ndërmarrje nga arka e komunës së Tetovës.janë 35 milion denarë që kjo ndërmarrje i kërkon për gjoja paga të puntorëve.Ne nuk jemi kundër pagave të puntorëve por kërkojmë një raport më të detajuar, poashtu kërkojmë edhe listën e të punësuarve sepse për neve si opozitë është e rëndësishme që të gjithë të punësuarit të marrin rroga dhe jot ë mblidhen fonde për punëtorët me kontratë në vepër.

Ne e dënojmë këtë akt dhe e lëshuam seancën, sepse nuk kishte raport të tillë”, tha Liridon Disha, këshilltar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Pavarsisht kësaj kërkese, shumica në këshill, respektivisht 12 këshilltarët e Lëvizjes Besa dhe katër të VMRO-DPMNE-së, miratuan kërkesën e Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetova që të marrë ndihmë financiare prej 25 milionë denarë nga komuna. Pagesa nuk do të jetë e përnjëhershme por në vazhdimësi. Gjithsej, në këtë ndërmarrje ka 440 punëtorë, kurse prej tyre rreth 200 janë me kontrata në vepër. Gjatë kohës së pushimit të seancës së sotme, jozyrtarisht bëhet e ditur se ka patur edhe tensione mes këshilltarëve të pozitës dhe opozitës.

Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka paralajmëruar se në të ardhmen ndërmarrja do të ndahet në katër drejtori dhe njëra prej tyre do të jepet në menaxhim investitorëve të huaj përmes Partneritetit Publiko-Privat.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share