Partitë politike, kandidatët presidencial dhe kandidatët nga listat partiake të përmbahen nga narativi shqetësues dhe gjuha e urrejtjes në fushatën parazgjedhore. Thirrja vjen nga Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, nga ku thonë se gjatë fushatës do ketë monitorime të përforcuara sikurse në rrjetet sociale poashtu edhe në mediat tradicionale.
Nga ky Komision do të përgatitet formulari për denoncimin e narativit shqetësues që do të publikohet në ueb-faqen e Komisionit.
Kryetari i Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ka kërkuar që të realizohen edhe rekomandimet me qëllim të mënjanimit të rasteve të diskriminimit të kategorive të ndryshme të qytetarëve gjatë realizimit të drejtës së votës. Sipas tyre, ende ekziston rreziku që të mos mund të votojnë qytetarët që do të bëhen të moshës madhore, ashtu sic ndodhi në zgjedhjet e vitit 2019.
“Bëhej fjalë për rreth 7.000 njerz që nuk mund të votonin, kurse mbushin 18 vjet midis dy rretheve zgjedhore të presidencialeve. Ata kanë të drejtën e votës konform nenit 22 të Kushtetutës, mirëpo mungesa e procesit të dispozitave të ligjit I pamundësoi të regjistrohen në listën zgjedhore dhe të votojnë vetëm në rrethin e dytë”, tha Igor Jadrovski.
Komisioni gjithashtu paralajmëron se nga votimi mund të përjashtohen edhe personat që gjenden nëpër institucionet shëndetësore si dhe ata që jetojnë në formatin e ri të mbrojtjes sociale të personave me pengesa.
Rekomandojnë ndryshime dhe plotësime të Kodit Zgjedhor me qëllim që të mundësohet e drejta e garantuar kushtetuese e votës për këtë kategori qytetarësh./tvklan.mk