KLAN M në Kishinjev: OSBE në përpjekje për t`i afruar Moldavinë dhe Transnistrinë

Kryesuesi i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot dhe nesër viziton Misionin e OSBE-së në Republikën e Moldavisë, me çka praktikisht zgjatet realizimi i obligimeve prioritare nga Programi për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE në vitin 2023.

Nga kryeqendra moldave Kishinjevi, gazetarja e Klan M, Teuta Buçi, njoftoi se vizita zhvillohet në një kohë komplekse në politikën e brendshme të Moldavisë, për shkak të dorëheqjes së papritur të Kryeministres moldave, Natalia Gavrilita, por edhe për shkak të ndikimit të jashtëm të shkaktuar nga pasojat e agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës.

“Qëllimi kryesor është inkurajimi i procesit të negociatave më thelbësore midis Qeverisë së Moldavisë dhe autoriteteve të Transnistrisë. Gjatë vizitës dyditore, Kryesuesi me OSBE-në, Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, do të zhvillojë edhe takime në terren, ku do të takohet me aktivistë të rinj në Moldavi që ndihmojnë në pranimin e migrantëve nga Ukrainë” – njoftoi gazetarja e KlanM Teuta Buçi nga Kishinjevi.

Ministri I Jashtëm, Bujar Osmani, nga Kishinjevi, sic njofton KlanM, ka deklaruar se prezenca e tij, edhe si përfaqësues I RMV-së por edhe si kryesues i OSBE-së, mund të ndihmojë që palët të vazhdojnë dialogun.

“Përse jo edhe në Shkup, në një formë dhe format me pjesëmarrje të komunitetit ndërkombëtar ose vetëm të palëve negociatore, me qëllim që fillimisht të mundësohet një deeskalim derisa zgjat lufta në Ukrainë, por edhe të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do ta respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Moldavisë por edhe të mundësojë një status special për Transnistrinë” – ka deklaruar Ministri i Jashtëm i RMV-së dhe Kryesuesi me OSBE-në, Bujar Osmani./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share