ZEQIRI – AJDINI: AKADEMIA SHQIPTARE NË MAQEDONI – MBROJTËSE E IDENTITETIT SHQIPTAR
Para një viti Këshilli iniciativ i përbërë nga profesorë të njohur universitarë, themeloi Shoqatën Akademike e Shqiptarëve për shkencë dhe art. Ideja fillestare ishte që të regjistrohet si Akademi por disa herë janë refuzuar dhe mezi u regjistruan si Shoqatë. Por, thonë se po funksionojmë si Akademi e mirëfilltë, kanë edhe Akt-Vendim statutar dhe kanë ndryshuar emrin në “Akademia për shkencë dhe art e Shqiptarëve të RMV”.
Profesori Zeqir Kadriu, në Klan Debat, thotë se një ndër arsyet e themelimit të Akademisë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut ishin edhe shtrëmbërimet e fakteve dhe ofendimet e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve ndaj Shqiptarëve.
“Me emër dhe mbiemër, akademikë të shquar maqedonas janë deklaruar se shqiptarët paskan ardhë këtu në Maqedoni para 150 vjetëve, gjë që për ne ishte një ofendim shumë I rëndë” – tha Zeqir Kadriu, shoqata akademike e shqiptarëve.
Akademia Shqiptare, sipas tyre, do të shërbejë si ombrellë mbrojtëse e identitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Shqiptarët në RMV edhe pse kanë një numër të caktuar të intitucioneve të arsimit sipëror siç i kemi tre universitetet, megjithatë ne kemi nevojë për një instancë më të lartë të pushtetit të dijes, që në fakt do të mbrojë interesat tona, në radhë të parë identitetin tonë kombëtar, historinë tonë, gjuhën tonë e kështu me radhë” – deklaroi Florim Ajdini.
Por, sa mbështetet politiksht themelimi I kësaj Akademie? Profesorët në Klan Debat thonë se duhet të mblidhen të gjitha partitë shqiptare, ta bëjnë si propozim, e më pas të debatohet.
“Tre faktorë politik na përkrahin në mënyrë të hapur. Parti shqiptare, me parti maqedonase nuk kemi komunikuar në mënyrë zyrtare dhe presim tani nga partia e katërt, që është në pushtet, të jep mendimin e saj që kjo iniciativë të futet në kornizë ligjore përmes një amendamenti. Është procedurë që merr kohë, por ne kemi durimin të presim” – deklaroi Florim Ajdini.
Akademia për shkencë dhe art e Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sic percjell KlanM, ka falënderuar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen e parezervë. Thonë se kanë pasur takime dhe punojnë në një projekt të përbashkët.
Por, shprehen të zhgënjyer nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për të cilët thonë se nuk ua kanë kthyer asnjë nga letrat dhe kërkesat e shumta për një takim. /KlanMacedonia/