“PERSONAT NË LISTË TË ZEZË TË MOS USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”
Ramiz Merko në “listën e zezë” amerikane zgjoi nga gjumi institucionet e drejtësisë në vend, të cilët sipas analistit Ibraim Memeti, kanë qenë në gjumë të thellë. Por, Memeti sygjeron që të ketë hetime gjithëpërfshirëse për pretendimet për implikime në aktivitete korruptive, njofton KlanM.
“Nuk mundet tash të shkojnë të gjithë në Strugë. Struga na u bë qendër e kriminalitetit. Ato duhet rregullisht t’i përcjellin këto punë. Dhe kur e targeton një komunë apo subjekt, tani del se këto tjerët të gjithë janë ‘melaqe’ e vetëm ky paska qenë i korruptuar” – tha Ibraim Memeti, analist.
Ndryshime ligjore sikurse në Shqipëri, për të patur rezultate në betejën anti-korrupsion, sygjeron analisti Albert Musliu.
“Unë mendoj se të gjitha subjektet politike, në qoftë se kanë aq entuziazëm për t’i zgjidhur këto çështje, të bëjnë ndryshimet ligjore si në Shqipëri dhe t’i sugjerojnë apo ta inkurajojnë prokurorin publik që t’i kërkojë ato materiale prej shtetit amerikan. Amerikanët nuk e bëjnë këtë me ndonjë qëllim të keq, por e bëjnë rej dashamirësie për këtë shtet” – tha Albert Musliu.
Merko duhej të dorëhiqej dhe çështja do të zgjidhje më lehtë – vlerëson analisti Memeti, sic njofton KlanM, duke shtuar se vonesa e reagimit të BDI-së ka të bëjë me mospjatimet se si duhet të reagohet.
“BDI-ja, unë sa e kuptova, janë munduar ta bindin që të dorëhiqet, që do të ishte puna më e pastër. Nuk mund të heshtësh sepse nuk është një punë e vogël. Amerika është një shtet shumë I rëndësishëm për ne dhe nuk mund të injorohet dhe të sillemi ndaj këtij vendimi sikur nuk është asgjë” – tha Ibraim Memeti, analist.
Personat e përfshirë në “listë të zezë” të mos ushtrojnë funksione publike – propozon Musliu si një ndër masat për të luftuar korrupsionin, që sipas tij, është mjaft i përhapur në vend.
“Ky nuk është rast i vetëm i korrupsionit në Maqedoni. Të ishte rast i vetëm edhe Merko do ta pranonte këtë punë dhe Maqedonia të shpëtonte nga korrupsoni. Këtu ka korrupsion ku të duash! Pse aq me sarkazëm reaguan në propozimin për veting të politikanëve? Ajo është gjë e mirë. Ata janë kundër korrupsionit, ama jo për veting” – tha Albert Musliu.
Analistët Memeti dhe Musliu në Klan Debat u shprehën se te shqiptarët nuk ka dilema rreth vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të kreut të Strugës, Ramiz Merko, duke bërë paralele me reagimin e VMRO-DPMNE-së pasi ish-zyrtarët e kësaj partie u futën nën sanksione amerikane. /KlanMacedonia/