Klan Debat: Analistët – Bullgaria hodhi topin në fushën e RMV-së

“VETOJA BULLGARE NDIKON NË RRITJEN E EUROSKEPTICIZMIT”

Edhe pas votimit të propozimit francez nga ana e Kuvendit në Bullgari, mbetet diskutabile arritja e marrëveshjes mes dy shteteve, për faktin se me heqjen e vetos, Sofja vendosi kushte për Maqedoninë e Veriut, kështu vlerësuan njohësit e rrethanave politike në emisionin e fundit të Klan Debat. Sipas tyre, me këtë është vështirësuar çështja dhe ka pak mundësi që të ketë zgjidhje të shpejtë.

“Është një dëm i madh, drejtpërdrejt rrënon autoritetin e Bashkimit Evropian, vlerat e Bashkimit Evropian, rrit euroskepticizmin në vend. Shifeni tani këtu në Maqedoninë e Veriut nëse bëhet një anketë tani, veçanërisht te një pjesë e madhe e popullatës maqedonase dita – ditës rritet euroskepticizmi” – tha Imer Selmani.

Sipas analistit Ilir Luma, Maqedonia e Veriut duhet të pranojë propozimin francez, duke pasur parasysh se ka pasur forma më të ashpra të mohimit të identiteti maqedonas.

“Nuk duhet të jetë problem që Maqedonia forma të këtilla të propozimeve të mos t’i pranoje duke ditur se ka qenë fillimisht forma edhe më të ashpra të mohimit të identitetit e kështu me radhë” – tha Ilir Luma.

Ndërkohë, sipas analistit Qenan Aliu, edhe nëse nuk arrihet marrëveshje këto dy tre ditë, sa kanë mbetur nga përfundimi i kryesimit të Francës me BE-në, Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë dialogun për gjetjen e një zgjidhje.

Ajo që është për të diskutuar është fakti se, parlamenti bullgar topin e ka hudhur në fushën e Maqedonisë Veriore kushtimisht themi. Pra, e gjithë trysnia kushtimisht them nga faktori ndërkombëtar tani së pari do të drejtohet në autoritet e Maqedonisë së Veriut, sepse këtu mbeti topi” – tha Qenan Aliu, analist politik.

Kujtojmë se, Kuvendi i Bullgarisë javën e kaluar miratoi propozimin francez. Ky propozim në formën aktuale, parasheh që kushtet e Bullgarisë për Shkupin, të bëhen pjesë e detyrimeve të Maqedonisë së Veriut ndaj BE-së, ndërsa Komisioni Evropian të jetë garancë për zbatimin e tyre. Ndërkaq, Shkupi kërkon që gjuha dhe çështjet historike të mos përfshihen në kornizë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share