Kisha Ortodokse Serbe ka akuzuar Policinë e Kosovës për, siç thuhet, ndalimin e mbajtjes së një liturgjie në Prishtinë, por policia deri më tash nuk ka dalë me njoftim zyrtar për këtë çështje.
“Më 2 qershor, Policia e Kosovës ua ndaloi priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjnë në Katedralen e papërfunduar të Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë”, tha për Radion Evropa e Lirë famullitari i Prishtinës, Stanisha Arsiq.
Për Kosovën, katedralja është e kontestuar, pasi gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe UP-ja pretendon se ky objekt është ndërtuar ilegalisht në tokën e universitetit në vitet ’90.
Arsiq tha se ishte planifikuar që të mbahej një liturgji në prani të dhjetëra besimtarëve, me rastin e kremtes së Ditës së Shpëtimtarit [ngritjes së Krishtit në qiell, sipas besimit ortodoks], por policia pengoi ceremoninë.
“Na morën dokumentet, fotografuan automjetin dhe thjesht na penguan të hyjmë në kishë që të shërbejmë liturgjinë”, tha Arsiq.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk i janë përgjigjur pyetjeve të REL-it për të sqaruar pretendimet e Kishës Ortodokse.
Më 10 qershor 2021, për herë të parë që nga viti 1998, Peshkopi i Rashkës dhe i Prizrenit, Teodosije shërbeu një liturgji në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Kjo ngjarje u përcoll me protesta të studentëve të Prishtinës, të cilët kërkuan që objekti të rrënohet ose të kthehet në një muze, i cili do të ishte “pasqyrë e gjenocidit serbë kundër popullit shqiptar”.
Kreu i Listës Serbe, parti kjo kryesore e serbëve të Kosovës, Goran Rakiq, tha se ndalimi i mbajtjes së liturgjisë në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë ishte “shkelje e të drejtave themelore të njeriut të komunitetit serb në Kosovë si dhe goditje e drejtpërdrejtë për të gjithë serbët që jetojnë në këto hapësira”.
“Kjo që ndodhi mëngjesin e sotëm me klerikët dhe popullin besimtar, të cilët përveç shënimit të festës së madhe nuk kishin qëllim tjetër, është porosi e keqe dhe alarm i kuq për bashkësinë ndërkombëtare se gjërat duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë. Pra, se nuk ka barazi mes popujve dhe se me këtë veprim po dërgohet mesazh i qartë se serbët nuk mund të praktikojnë lirisht besimin e tyre në faltoret e tyre dhe nuk ka barazi fetare”, tha Rakiq.
Ndërkohë, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë ka reaguar me pretendimet se “veprimet e pacivilizuar” të Policisë së Kosovës janë dirigjuar nga ana e autoriteteve në Prishtinë dhe kjo tregon raportin e tyre ndaj lirive fetare në Kosovë”.
“Është koha e fundit që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ta shohin qartë se me çfarë persekutimi po përballen serbët në Kosovë dhe të ndërmarrin hapat e duhur për të mbrojtur të drejtat dhe liritë legjitime të popullit serb”, u tha në deklaratë.
Pse është e kontestuar Kisha e Krishtit Shpëtimtar?
Universiteti i Prishtinës thekson se Kisha e Krishtit Shpëtimtar gjendet brenda kampusit të UP-së dhe objekti është ndërtuar ilegalisht në tokën e universitetit ,në vitet ’90, gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit.
Për këtë çështje, aktualisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke u mbajtur një proces gjyqësor.
Në anën tjetër, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë pretendon se ka dokumentacionin që thotë se Universiteti, në vitin 1990, kishte pranuar që ta ndërtonte objektin e Kishës dhe se ekziston një vendim i autoriteteve të Komunës së Prishtinës i po atij viti.
Dokumenti thuhet se është vendim për plotësimin dhe ndryshimin e planit urbanistik të Universitetit në Prishtinë. Dyshohet se dokumenti mban datën e 26 shtatorit të vitit 1990 dhe është nënshkruar nga Hamdi Vraniqi i Këshillit të atëhershëm Ekzekutiv të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Gjithashtu, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë pretendon se në vitin 1991, kësaj kishe i është dhënë vendimi për ndërtimin e objektit dhe vendimi për regjistrim në kadastër./REL