Gjatë sesionit vjetor parlamentar, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, deklaroi se Kina e sheh veten si një forcë për paqe në botë, edhe pse deklaroi se Pekini do të ruajë marrëdhënie të mira me Moskën. Wang këmbënguli se Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim objektiv dhe të drejtë për konfliktin në Ukrainë, duke theksuar se Pekini vazhdon të insistojë në promovimin e paqes.
“Si fuqi të mëdha globale dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Rusia kanë krijuar një paradigmë të re të marrëdhënieve të superfuqive. Për çështjen e Ukrainës, Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim objektiv dhe të drejtë, duke këmbëngulur në promovimin e paqes dhe lehtësimin e bisedimeve”, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi.
Luftën në Gazë Wang Yi e cilësoi si “turp për civilizimin” dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
“Asnjë arsye nuk mund të justifikojë vazhdimin e konfliktit dhe asnjë justifikim nuk mund të shfajësojë vrasjen e civilëve. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë urgjentisht veprime, duke e bërë armëpushimin e menjëhershëm prioritet kryesor. Të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe të gjitha veprimet që dëmtojnë civilët duhet të ndalen. Kina mbështet me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez për të rivendosur të drejtat e tij legjitime kombëtare”, shtoi ai.
Mes të tjerash ministri i jashtëm kinez u shpreh se akuzat e SHBA-së kanë arritur një nivel të paimagjinueshëm. “Duhet të theksojmë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një perceptim të gabuar për Kinën dhe nuk i kanë përmbushur premtimet që kanë bërë”, tha Wang. Tensionet midis dy superfuqive janë ulur paksa që kur Biden dhe Xi organizuan samitin e tyre historik në San Francisko nëntorin e kaluar, por ato mbeten përpara zgjedhjeve amerikane të këtij viti si dhe mosmarrëveshjeve për Tajvanin.
Klan News