Kili zbulon rastin e parë të gripit të shpendëve te njeriu

Hetohet shkaku, virusi ka prekur 80 lloje të ndryshme shpendësh

Kili ka zbuluar rastin e parë të gripit të shpendëve te një njeri. Rasti u konstatua te një 53-vjeçar, i cili kishte simptoma të rënda të gripit. Qeveria ka ngritur një grup pune për të hetuar burimin e infektimit si dhe të tjerët që ishin në kontakt me pacientin. Kili ka raportuar raste të gripit të shpendëve H5N1 që nga fundi i vitit të kaluar te kafshët e egra.

Rastet e fundit në fermat industriale bënë që qeveria të ndalonte eksportet e shpendëve. Autoritetet shëndetësore të Kilit vunë në dukje se virusi mund të transmetohet nga zogjtë ose gjitarët detarë te njerëzit, por nuk ka asnjë asnjë provë deri më tani që mund të kalojë nga njeriu te njeriu. Rreth 40,000 shpendë u asgjësuan në Kilin qendror në fillim të këtij muaji pasi vendi zbuloi rastin e parë të gripit të shpendëve në një fermë. Rastet e gripit të shpendëve, kryesisht te kafshët e egra, janë zbuluar në Kili që nga fundi i vitit të kaluar.

Në fillim të këtij viti, Ekuadori konfirmoi rastin e parë të transmetimit të gripit të shpendëve tek një vajzë nëntë vjeçare. Zyrtarët globalë të shëndetit kanë thënë se rreziku i transmetimit midis njerëzve është i ulët, por prodhuesit e vaksinave kanë përgatitur vaksina kundër gripit të shpendëve për njerëzit për çdo rast.

Nga ana tjetër një ekip ekspertësh në rajonin rus të Kaliningradit në Evropën Lindore zhvilluan stërvitje që synojnë të frenojnë një shpërthim të mundshëm të gripit të shpendëve. Ndërkaq Suedia ka raportuar një shpërthim të gripit të shpendëve në një fermë në jug të vendit. Virusi aktual ka prekur 80 lloje të ndryshme shpendësh.

Më shumë se 40% e shpendëve në Skoci kanë ngordhur po ashtu edhe mijëra pelikanë në Greqi. Fondi Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar thotë se midis 30,000 dhe 50,000 zogj të egër mund të kenë ngordhur nga gripi i shpendëve në ishujt Farne të Mbretërisë së Bashkuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 870 njerëz janë infektuar me gripin e shpendëve gjatë 20 viteve të fundit dhe 457 kanë vdekur. Këto raste ndodhën kur njerëzit ranë në kontakt të ngushtë me zogjtë e infektuar.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share