KiE shqetësim për marrëveshjen për emigrantët

“Pikëpyetje për sigurinë e azilantëve, mund të shndërrohet në trend“

Këshilli i Europës e sheh me pikëpyetje marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët e jashtëligjshëm.

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç shpreh në një deklaratë për shtyp, shqetësimin se kjo marrëveshje mund të cënojë garantimin e të drejtave të njeriut.

“Memorandimi i mirëkuptimit ngre një sërë pikëpyetjesh të rëndësishme, që lidhen me zbarkimin në kohë, ndikimin në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndershmërinë e procedurave të azilit, identifikimin e personave të cenueshëm, aksesin ndaj ndihmës juridike, etj. Në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien për shkeljet, duke sjellë trajtim të ndryshëm midis atyre që përpunohen në Shqipëri dhe atyre në Itali”.

Për më tepër, komisionerja Mijatoviç është e shqetësuar se shembulli i kësaj marrëveshjeje mund të ndiqet edhe nga vende të tjera, me të njëjtat probleme.

“Memorandumi i mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Italisë sjell një prireje drejt eksternalizimit (delegimit në një vend tjetër) të përgjegjësive për azilin. Masat e eksternalizimit shtojnë ndjeshëm rrezikun që refugjatët, azilkërkuresit dhe emigrantët të përballen me shkelje të të drejtave të njeriut”.

Komisionerja e Këshillit të Europës i bën thirrje vendeve anëtare ta përqëndrojnë energjinë tek përmirësimi i sistemit të pritjes së azilkërkuesve në vendet e tyre.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share