SERBËT LOKAL PARALAJMËROJNË PROTESTË PËR TË ENJTEN
Një protestë masive është paralajmëruar nga serbët lokal për të enjten në fshatin Rudare.
Ftesën e ka bërë i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës” për shkak të siç kanë thënë kërcënimeve të fundit të kryeministrit Albin Kurtit, i cili, sipas tyre, bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada.
Thirrja, shtojnë ata, është edhe për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë të Kurtit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, “i cili guxoi të caktojë ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave ”.
Një ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me situatën në veri për prestigjiozen britanike “The Guardian”, ku ka thënë se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, por se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima.
Ndërsa ambasadori gjerman ka kërkuar që barrikadat të hiqen para 25 dhjetorit.
Ndërkohë KFOR-i nëpërmjet një komunikate për media thotë se beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjellja agresive në veri për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë, është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim.
Në njoftim përmenden edhe stërvitjet e të fundit ushtarake, të mbajtur më 19 dhjetor, të cilat sipas tyre u zhvilluan për të trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes.
“Ky ushtrim ishte i nevojshëm, duke pasur parasysh raportimet e fundit për praninë e supozuar të mundshme të grupeve të organizuara kriminale që ishin përfshirë në protesta”, thuhet në njoftim.
KFOR-i gjithashtu ka tërhequr 9 policë që ndodheshin në pikat kufitare Jarinjë dhe Brnjak që nga 10 dhjetori kur u barrikaduan rrugët. bëhet fjalë për 6 policë me sëmundje kronike si dhe 3 police nëna të fëmijëve të fëmijëve të vegjël. Policët tjerë vazhdojnë të mbeten në pikat kufitare ndërsa mbetet e paqartë nëse i burgosuri Dejan Pantiq është transferuar apo vazhdon të mbetet ende në pikën kufitare në Jarinje.
Dy shpërthime të reja me shokbomba kanë ndodhur në 24 orët e fundit në veri të Mitrovicës, njëri ndaj një ekipi të gazetarëve, gjithashtu gazetarët sërish janë sulmuar afër barrikadave në mesditën e së mërkurës.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në Jarinjë dhe Bërnjak, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha