‘Kërcënim për të gjithë Evropën’: Irani po furnizon Rusinë me raketa balistike, thotë sekretari amerikan i shtetit

Irani ka dërguar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi dhe Kremlini “ka gjasa t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë”, ka thënë sekretari amerikan i shtetit.

Duke folur gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, Antony Blinken tha se zhvillimi ishte “një kërcënim për të gjithë Evropën” dhe tregoi se si “ndikimi destabilizues i Iranit arrin shumë përtej Lindjes së Mesme”.

Ai tha në një konferencë shtypi: “Dhjetëra personel ushtarak rus janë trajnuar në Iran për të përdorur sistemin e raketave balistike me rreze të afërt Fath-360, i cili ka një rreze maksimale prej 75 miljesh”.

“Rusia tani ka marrë dërgesa të këtyre raketave balistike dhe ka të ngjarë t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë kundër ukrainasve”.

“Rusia ka një sërë raketash balistike të veta, por furnizimi me raketa iraniane i mundëson Rusisë të përdorë më shumë nga arsenali i saj për objektivat që janë më larg vijës së frontit”.

Ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy ka theksuar se furnizimi me raketa balistike nga Irani në Rusi është “padyshim një përshkallëzim i rëndësishëm”.

Megjithatë, i pyetur nëse ai do të miratonte përdorimin e raketave me rreze të gjatë “Storm Shadow” për Ukrainën për të goditur objektivat brenda Rusisë, Lammy tha se nuk do të komentonte mbi “çështjet operacionale”.

Mediat bëjnë të ditur se SHBA do të shpallë sanksione të mëtejshme ndaj Iranit më vonë sot, njoftoi Blinken, duke përfshirë masa të mëtejshme kundër Iran Air.

Dhe ai tha se edhe vendet e tjera pritet të shpallin sanksione të reja.

Megjithatë, shefi i shtabit të presidentit ukrainas tha se vendosja e sanksioneve ndaj Iranit për furnizimin e Moskës me raketa balistike nuk ishte e mjaftueshme dhe aleatët duhet të lejojnë Kievin të kryejë sulme thellë në Rusi duke përdorur armë perëndimore.

“Ne gjithashtu kemi nevojë për leje për të përdorur armë perëndimore kundër objektivave ushtarake në territorin e Federatës Ruse, dërgimin e raketave me rreze më të gjatë veprimi dhe forcimin e mbrojtjes sonë ajrore”, ka thënë zyrtari, Andriy Yermak. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share