KE: RMV-ja t’i zbatojë më shpejt reformat energjetike

NJË MILIARDË EURO NGA BRUKSELI PËR KRIZËN ENERGJETIKE NË BALLKAN

Komisioni Evropian ka ndarë rreth një miliardë euro për zbutjen e krizës energjetike në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa detajet do t’i bëjë publike Kryetarja Ursula Fon der Lajen, e cila gjatë javës së ardhshme do ta vizitojë rajonin. Në raportin e Komisionit për përparimin e Maqedonisë së Veriut edhe këtë vit vihen në dukje vërejtjet e zakonshme se duhet të përshpejtohet tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të ulet përdorimi i thëngjillit.

Mjetet që Brukseli i planifikon për ndihmë të Ballkanit Perëndimor pritet të dedikohen për kompensimin e shpenzimeve të larta për import të energjensëve.

“Pakoja për mbështetje energjetike do të prezantohet me ardhjen e Kryetares së Komisionit Evropian javën e ardhshme në Shkup. Para së gjithash ndihmë në pjesën e tejkalimit të problemeve aktuale në raport me furnizimin me energji elektrike dhe çmimet e larta për industrinë dhe për amvisëritë” – deklaroi Bujar Osmani.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut tashmë kanë kërkuar kompensim nga Brukseli për çmimet e larta në bursën e energjisë elektrike, pasi Bullgaria fqinje i ka njoftuar se rregulloret evropiane nuk i lejojnë që vendeve fqinje t’u shesë energji më të lirë. Përndryshe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin sërish vihen në dukje vërejtjet se tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme duhet të përshpejtohet dhe të ulet varësia nga thëngjilli, lënda e parë kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në vend.

“Vendi është i përgatitur mesatarisht, me përparim të kufizuar kryesisht rreth miratimit të Planit Kombëtar për energji, klimë dhe investime në parqe solare në fundit të muajit maj të këtij viti. Në këndvështrimin e kontekstit aktual gjeopolitik Maqedonia e Veriut duhet ta përshpejtojë tranzicioninin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe dukshëm ta ulë varësinë nga gazi” – thuhet në raportin e KE-së për Maqedoninë e Veriut.

Duke pasur parasysh që nuk janë plotësuar në tërësi as rekomandimet e vitit të kaluar, Komisioni shton se në periudhën që vjen Maqedonia e Veriut duhet ta përfundojë sistemin e gazsjellësit, ta rrisë numrin e të punësuarve dhe kapacitetin teknik në sektorin e energjisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe të miratojë ligj për efikasitet energjetik. Është fakt se Qeveria ka siguruar mbështetje të gjërë fiskale për biznesin në kushte të rritjes së çmimeve, por përparon ngadalë në raport me reformat e nevojshme, thuhet në raportin e Komisionit Evropian. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share