KE-ja kërkon sqarime mbi detajet e marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë

Marrëveshja e firmosur midis Italisë dhe Shqipërisë ngre një sërë pikëpyetjesh. Reagimi i parë i Komisioni Europian mbi këtë marrëveshje është se nevojitet të shqyrtohet nëse marrëveshja respekton ligjin e Bashkimit Europian për aplikimin e azilit dhe ligjin ndërkombëtar në këtë aspekt. Në vijim, Komisioni Europian ka bërë të ditur, se ka kërkuar nga autoritetet italiane sqarime për detaje të marrëveshjes për të shqyrtuar së pari se si trajtohet në marrëveshje e ashtuquajtura ‘ externalizim’ i procedurave të azilit, që do të thotë transferim i proçedurave të aplikimeve për azilit jashtë territorit të BE-së. Së dyti, për Komisionin Europian duhen parë cilat janë rrjedhojat e kësaj marrëveshjeje.

“ Ne e kemi bërë të qartë ligjin e Bashkimit Europian për aplikimin e kërkesave të azilit në shtetet anëtare, përfshirë në kufi apo në ujërat territoriale. Shtete anëtare nuk përjashtohen nga mundësia e aprovimit të masave për trajtimin e aplikimeve të azilit  nga persona të vendeve të treta sipas ligjit kombëtar, por këto duhet të bëhen pa paragjykuar ligjin e BE-së për azilin” – tha Anitta Hipper, zëdhënëse e KE-së.

Sipas Hipper, nga kuptimi i deritanishëm i marrëveshjes midis Shqipêrisë dhe Italisë nuk bêhet fjalë për të njëjtin rast të si të Ruandës. Komisionerja përgjegjëse për polikën e brendshme, Ylva Johansson ka mbajtur një qëndrim të qartë vitin e shkuar lidhur me transferimin e proçedurave të aplikimeve për azil jashtë BE-së në rastin e Ruandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se ‘externalizimi’ i procedurave të azilit nuk është një politikë humane dhe dinjitoze azili. Po ashtu, përmes një dokumenti të publikuar në 2018 mbi platforma rajonale të zbarkimit lidhur me rastin e Tunizisë, Libisë, apo Malit të ZI, Komisionit Europian konsideron, se kthimi i një aplikanti për azil në një vend të tretë para proçedimit të kërkesës së tij për azil përbën dëbim dhe nuk lejohet në kuadrin e ligjit të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”./ Erisa Zykaj – tv Klan, Bruksel.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share