Lirohen të tjerë pengje dhe të burgosur mes palëve
Izraeli dhe Hamasi po diskutojnë për shtimin e ditëve të armëpushimit. Këtë të mërkurë është dita e dytë dhe e fundit shtesë e armëpushimit që tashmë ka hyrë në ditën e 6-të. Katari, si vendi kryesor ndërmjetësues mes palëve konfirmoi bisedimet, ku po synohet nxitja e palëve të lirojnë më tepër pengje.
Ndërkaq, Tel Avivi tha se ka marrë një listë me emrat e pengjeve të mbajtur në Gaza, të cilët Hamasi pritet t’i lirojë gjatë kësaj të mërkure. Të martën, 12 pengje të tjerë izraelitë u liruan nga Hamasi, të cilët u shkëmbyen me 30 të burgosur të tjerë palestinezë.
Disa prej të burgosurve palestinezë të liruar thanë se ishin keqtrajtuar në burgjet izraelite. Megjithatë, Izraeli nuk komentoi deklaratat e tyre të bëra për mediat ndërkombëtare.
Armëpushimi po shfrytëzohet edhe për furnizimin e Rripit të Gazës me ndihma humanitare. Këto filmime të publikuara nga ushtria izraelite tregojnë kamionët me ndihma që hyjnë çdo ditë nga Egjipti drejt territorit jugperëndimor palestinez.
Tv Klan