Kasami paralajmëron prurje të reja në Lëvizjen BESA: Bashkohuni në kalanë e shpresës dhe dinjitetit!

Duke e përshkruar situatën si të rëndë në të cilën gjendet vendi, kreu i BESËS, Bilall Kasami përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se si subjekt politik po përgatisin një kala siç e ka quajtur ai, e cila do të bazohet në themelet e drejtësisë, zhvillimit ekonomik si dhe luftën kundër krimit.

“Vendi për çdo ditë po shkon drejt fundosjes. Pushteti aktual në vend që të ndërtojë një shtet mbi themele të fuqishme ku do të ngritej një fortesë e pa luhatshme që do të garantonte ardhmëri për qytetarët, ata e shndërruan në një anije e cila po fundoset për çdo ditë.

Derisa kjo anije po fundoset, të sigurt janë vetëm liderët e partive të pushtetit dhe funksionarët e tyre, të cilët për çdo ditë po pasurohen duke zhvatur qytetarët.

Por, NE, nuk do ti lëm qytetarët tonë që të fundosen. Ne jemi këtu për tua zgjatur dorën e mbështetjes dhe për të punuar bashkërisht në ngritjen e një Kalaje e cila do të ndërtohet mbi themele të fuqishme të DREJTËSISË dhe luftës kundër KRIMIT, ZHVILLIMIT EKONOMIK dhe RRITJEN E STANDARDIT, të ndërtojmë një KALA e cila do të jetë shtëpia ku ne do të jetojmë bashkërisht të sotmen si dhe të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, pa pasur nevojë të mendojmë migrimin nga vendlindja.

Sa jemi të përkushtuar dhe të sigurt, e kemi dëshmuar për dy vite udhëheqje në Komunën e Tetovës, për gjashtë vite në Komunën e Zhelinës, ku siç e shihni edhe vetë, për çdo ditë punohen në ndërtimin e rrugëve, bulevardeve, shkollave, sistemeve të ujësjellësve dhe kanalizimit, efikasitetin e administratës komunale dhe shumë projekte të tjera. Dhe kjo është vetëm fillimi.

Andaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, nga Kumanova e deri në Strugë e Manastir, bashkohuni me Lëvizjen BESA.

Bashkohuni që edhe Ju të jeni pjesë e KALASË së SHPRESËS për vendin tonë.

Bëhuni pjesë e KALASË brenda së cilës do të punohet për tu ndërtuar sistem i shtetit që do të garantojë drejtësi, siguri, arsim, ekonomi, zhvillim dhe ardhmëri për të gjithë”, shkruan në rrjetin social Facebook, Kasami.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share