Kapitoli, Trump kërkon tërheqjen e gjykatëses

Ish-Presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu që procedurat gjyqësore të zhvendosen në një qytet tjetër

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërkuar nga avokatët që gjykatësja Tanya Chutkan të tërhiqet nga gjyqi kundër tij për sulmin në Kapitol Hill dhe procedurat gjyqësore të zhvendosen nga Uashingtoni në një qytet tjetër.

“Është e pamundur për mua të kem një gjykim të drejtë me gjykatësen që më është caktuar dhe në atë vend”, tha ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë në një postim në faqen e tij të rrjeteve sociale “Truth”.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare në gjykatë. Gjykatësja e emëruar nga presidenti Barack Obama në vitin 2014, u zgjodh me short, por është gjithashtu ajo që ka gjykuar rastet e tjera për sulmin ndaj Kongresit dhe që ka dhënë dënimet më të rënda.

Në dy vitet e fundit e njëjta gjykatë ka dënuar për planifikimin ose pjesëmarrjen në sulmin e 6 Janarit 700 persona, 560 prej të cilëve ndodhen në burg me dënime deri në 18 vjet.

Ndërkaq nga ana tjetër ish-zv/presidenti republikan Mike Pence ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e të qenit dëshmitar i akuzës nëse Donald Trump del në gjyq nën akuzat për organizimin e një komploti për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

“Njerëzit duhet ta kenë të qartë se ne do t’i bindemi ligjit. Ne do t’i përgjigjemi thirrjes së ligjit, nëse na kërkohet, dhe ne thjesht do të themi të vërtetën”, tha Pence.

Në prag të certifikimit të fitores së demokratit Biden në Kongres më 6 Janar 2021, Pence ishte përgjegjës për procedurat, për shkak të pozicionit të tij si President i Senatit të Shteteve të Bashkuara. Ai refuzoi trysninë e madhe nga Presidenti Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Të enjten e kaluar, ish-Presidenti amerikan Donald Trump deklarua i pafajshëm para një gjykate federale në Uashington. Aktakuza që rëndon ndaj ish-Presidentit amerikan thotë gjithashtu se ai u bëri presion zyrtarëve zgjedhorë për të ndryshuar rezultatet në një përpjekje të dështuar për të qëndruar në pushtet. Trump e cilësoi këtë aktakuzë “korruptive, skandaloze dhe të dështuar.”

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share