Kaosi në Onkologji! LSDM insiston për dorëheqje, VMRO-DPMNE kërkon reagimin e Prokurorisë!

Në vend të përgjegjësisë dhe të formohet shtabi I krizës për ta zgjidhur problemin në Klinikën e Onkologjisë, Qeveria vazhdon me justifikime joserioze dhe duke akuzuar të tjerët – thonë nga LSDM-ja.

Socialdemokratët duke insistuar për dorëheqjen e kompetentëve thonë se përgjegjësia për golgotën e pacientëve onkologjik është tek Qeveria, për shkak të planifikimit jo me kohë dhe financimit të furnizimeve publike për ilaçet.

BELKISA ZEQIRI – LSDM

“Drejtori i Klinikës për Onkologji, Igor Stojkovski, Drejtori i Fondit, Sasho Klekovski dhe Ministri i Shëndetësisë, Taravari, menjëherë të dorëhiqen. Qeveria të formojë shtab të krizës dhe urgjentisht ta sigurojë terapinë e nevojshme kurse më pas të bëjë planin afatgjatë për sigurimin e nevojës jetësore për terapi.”

Sistemi shëndetësor gjatë kohës së Qeverisë së LSDM-së ka qenë në kaos total, kurse kolapsi ka kulminuar në Onkologji – thonë nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, është ndezuar alarmi edhe për shkak se viteve të kaluar është favorizuar një veledrogeri e afërt me socialdemokratët.

Në tribunën publike “Fuqia e ilaçeve, jetë apo profit?”, VMRO-DPMNE kërkoi reagimin e Prokurorisë Publike, sic thanë, për të hetuar skandalet.

RASHELA MIZRAHI – VMRO DPMNE

“Kur nuk keni analizë, në fund keni kaos, i cili qartazi se ka patur profite, që kanë qenë më të rëndësishme se jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Deri këtu mund të konkludojmë se sistemi ka qenë në kaos të plotë, që ka rezultuar me kolaps dhe besojmë se ky kolaps nuk është vetëm në Klinikën për Onkologji, por në gjithë sistemin shëndetësor.”

Pacientë të Onkologjisë para disa ditëve alarmuan se në Klinikë mungojnë 6 ilaçe të terapisë biologjike, por druajnë se shumë shpejt mund të ketë mungesa edhe të 3 ilaçeve tjera.

Problemi ishte konfirmuar edhe nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, nga ku kanë potencuar se problemi është si rezultat I procedurave administrative që realizohen konform Buxhetit. /tklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share