Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se e nisi sulmin ndaj Ukrainës për arsye “krejtësisht absurde”.
“NATO-ja nuk ka qenë kurrë kërcënim për Rusinë,” tha ai të dielën në Berlin gjatë një dialogu publik me rastin e ditës së dyerve të hapura të qeverisë federale.
Për vite me radhë, Moska e ka akuzuar NATO-n për rritjen e zgjerimit të saj drejt lindjes në dëm të interesave të Rusisë.
Sipas Scholzit, në bisedimet përpara se të niste lufta në shkurt, ai e siguroi Putinin se Ukraina nuk do të anëtarësohej në NATO “në 30 vitet e ardhshme”. Megjithatë, Putini kishte ide “plotësisht absurde”, tha Scholzi. Presidenti rus i kishte thënë, për shembull, se Bjellorusia dhe Ukraina nuk duhet të jenë shtete të pavarura.
Olaf Scholzi është i sigurt se Vladimir Putini e kishte planifikuar këtë luftë shumë kohë përpara se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt. “Është një luftë që Putini, Rusia, e filloi, qartësisht me qëllimin për të pushtuar vendin fqinj. Unë mendoj se ky ishte qëllimi fillestar”, tha Scholz ndërsa krahasonte veprimet e Rusisë në ditët e para të imperializmit.
Rusia aktualisht është e preokupuar me fitimin e territorit në Ukrainën lindore, por nuk është e sigurt se do të mbetet kështu, tha kancelari, dhe për këtë arsye dorëzimi nuk është një strategji e arsyeshme.
“Putini në fakt pati idenë që të rrëshkiste një laps kimik mbi peizazhin evropian për të thënë më pas: “Kjo është e imja dhe kjo është e jotja”, tha Scholz-i, duke shtuar se Gjermania nuk mund ta pranojë këtë. Megjithatë, Scholz-i njoftoi se nuk do ta ndërpresë dialogun me Putinin.
Në përgjigje të ish-gjeneralit të Bundeswehr-it, Klaus Wittmann, i cili pyeti pse Gjermania nuk e furnizonte Ukrainën me transportues të blinduar, Scholzi renditi dërgesat e armëve të llojeve të tjera që tashmë kanë ndodhur dhe që janë ende të planifikuara.
“Gjermania po furnizon me shumë armë” dhe “ndërkohë po furnizon pajisjet më moderne dhe më efikase”, theksoi Scholz. Por e gjitha ka të bëjë edhe me “sigurinë që të mos ketë përshkallëzim të luftës”.
Scholz iu referua dërgesave të tankeve anti-ajrore Gepard, obusëve të blinduar 2000 dhe raketave të shumta, dërgesave të planifikuara të sistemit të mbrojtjes ajrore Iris-T dhe radarit të artilerisë Cobra.
“Ata do të mbërrijnë së shpejti,” siguroi ai. Gjermania do të vazhdojë t’i japë Ukrainës “atë që i nevojitet për mbrojtjen e saj”, tha kancelari gjerman. /DW