Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, theksoi të martën para ligjvënësve serbë se Kosova është shtet i pavarur.
Kamberi i bëri komentet në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku u diskutua për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.
Në këtë seancë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “nuk do ta njohë Kosovën”, edhe pse ajo “njihet nga shtetet më të fuqishme të BE-së dhe SHBA-ja”.
Vuçiq, duke mos ofruar asnjë provë, tha po ashtu se serbët në Kosovë kanë përjetuar “gjërat më të rënda” që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Albin Kurti.
Kamberi, gjatë fjalës së tij, tha:
“Çfarëdo që dëshironi të arrini atje [në Kosovë], duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale. Se kush është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim”.
Kamberi tha se serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta, të garantuara me Kushtetutë, dhe kanë përfaqësim në Kuvend dhe Qeveri.
Këto të drejta, sipas tij, nuk i ka pakica shqiptare dhe pakicat e tjera që jetojnë në Serbi.
Kamberi tha se marrëveshja përfundimtare e Serbisë me Kosovën është një ndër sfidat më të vështira dhe se është obligim i Vuçiqit që ta udhëheqë Serbinë drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane.
Ai tha se përmirësimi i raporteve me “armikun e përjetshëm” kërkon aftësi për të kuptuar se “nuk ka pajtim pa u përballur me të kaluarën”.
Sipas Kamberit, Vuçiq e ka përgjegjësi t’u tregojë qytetarëve serbë “të vërtetën për Kosovën dhe vetëm të vërtetën, e jo dëshirat boshe dhe ambiciet politike”.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kamberit, Vuçiq tha se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se serbët në veri të Kosovës nuk kanë status të njëjtë me shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë.
“Ju po e paraqisni situatën sikur Kosova është shtet i pavarur, se nuk ka asgjë të kontestueshme… por, nuk është kështu”, tha Vuçiq.
Ai, po ashtu, i tha Kamberit se nuk ka asgjë kundër dënimit të krimeve ndaj shqiptarëve “atje ku kanë ndodhur”, por shtoi se pala tjetër “hesht dhe nuk flet për krimet e veta”.
Lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, e iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb, ka përfunduar me mbi 13.000 civilë të vrarë – shumica e tyre shqiptarë – dhe mbi 6.000 veta të zhdukur. Sot e kësaj dite, janë ende mbi 1.600 persona të pagjetur.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.
Procesi i negociatave duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”./REL