KAMALA HARRIS: NUK DO TË HESHT PËR VUAJTJET NË GAZA
Me një ton tepër të ashpër zëvendëspresidentja Kamala Harris i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të arrijë një marrëveshje armëpushimi dhe lufta të përfundojë menjëherë. Ajo bëri thirrje të trajtohet menjëherë kriza humanitare duke treguar kështu një ndryshim në qasjen e kësaj lufte ndryshe nga presidenti amerikan Joe Biden.
Në një vizitë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu zëvendëspresidentja Kamala Harris me një ton të ashpër i kërkoi atij të arrijë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, në mënyrë që dhjetëra pengje të rrëmbyra nga militantët të mund të kthehen në shtëpi.
.
Harris tha se kishte një bisedë të sinqertë dhe konstruktive me Netanyahun, në të cilën ajo pohoi të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por shprehu shqetësim për numrin e lartë të të vdekurve në Gaza gjatë nëntë muajve.
“Faza e parë e marrëveshjes do të sillte një armëpushim të plotë, duke përfshirë një tërheqje të ushtrisë izraelite nga Gaza. Në fazën e dytë, ushtria izraelite do të tërhiqej tërësisht nga Gaza. Kjo më pas do të çojë në një fund të përhershëm të armiqësive”, tha Harris.
Me të gjithë sytë te kandidatja e mundshme për presidente, Harris përsëriti kryesisht mesazhin e kahershëm të Presidentit Joe Biden se është koha për të gjetur një fund të luftës në Gaza, ku kanë vdekur më shumë se 39,000 palestinezë.
“Është koha që kjo luftë të marrë fund. Dhe të përfundojë në një mënyrë ku Izraeli është i sigurt, të gjithë pengjet lirohen, vuajtjet e palestinezëve në Gaza marrin fund dhe populli palestinez mund të ushtrojë të drejtën e tij për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Ka pasur lëvizje shpresëdhënëse në bisedime për të siguruar një marrëveshje dhe siç i thashë kryeministrit Netanyahu, është koha për ta realizuar këtë marrëveshje”, tha Harris.
Harris theksoi se ajo i kërkoi me forcë Netanyahut të trajtonte krizën humanitare në Gaza, një diskutim i monitoruar nga afër. Komentet shumë të prera dhe serioze të Harris sugjerojnë një ndryshim të mundshëm në qasjen e kësaj lufte ndryshe nga presidenti amerikan Joe Biden në lidhje me marrëdhëniet me Netanyahun.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Biden diskutoi me Netanyahun nevojën për të finalizuar marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur, për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të arritur një fund të qëndrueshëm të luftës në Gaza”.
Biden dhe Netanyahu diskutuan gjithashtu përmirësimin e rrjedhës së ndihmave në Gaza, si dhe kërcënimin e vazhdueshëm të paraqitur nga grupet militante të mbështetura nga Irani, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Houthis. Takimet e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë erdhën një ditë pasi ai mbajti një fjalim në Kongres, duke u zotuar për “fitore totale” kundër Hamasit, ndërsa mijëra protestues pro-palestinezë demonstruan jashtë.
Konflikti në Gaza ka ndarë Partinë Demokratike dhe ka shkaktuar muaj protestash. Një rënie e mbështetjes mes arabo-amerikanëve mund të dëmtojë shanset e demokratëve në Michigan , një nga disa shtete që ka të ngjarë të vendosë zgjedhjet e 5 nëntorit. /tvklan.mk/
GAZETARE: LIVIA KALLFA