ASHMAA: INSTITUCIONET TË JENË TË HAPURA, GAZETARËT PROFESIONALË
Policia ka zhvilluar bisedë zyrtare me zëdhënësen e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, për marrjen me dhunë të telefonit të gazetarit të TV Klan Maqedoni, ndërsa siç thuhet në njoftim “kundër personit A.M.B do të ngrihet kallëzim penal adekuat”.
Kundër zëdhënëses së “Higjienës Komunale” e cila gjatë ditës së hënë pengoi ekipin e gazetarëve të TV Klan Maqedoni në kryerjen e detyrave të tyre, do të ngrihet kallëzim penal, njofton sot Ministria e Punëve të Brendshme.
“Zyrtarë të Njësisë për krim të dhunshëm e kanë dokumentuar ngjarjen juridike penale, ndërsa dje në SPB Shkup është thirrur A.M.B. e cila ia ka marrë telefonin të dëmtuarit F.S. dhe me të është zhvilluar bisedë zyrtare. Pas konsultimit me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, kundër A.M.B. do të ngrihet kallëzim penal adekuat,”deklaruan nga MPB.
Veprimin e shpejt të MPB e ka përshëndetur edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Përshëndesim veprimin e shpejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me incidentin që ka ndodhur dy ditë më parë në Higjienën Komunale-Shkup. Ndaj personit që u ka marrë telefonin gazetarëve është bërë kallëzim penal”, u shprehën nga SHGM.
Nga ana tjetër, në reagimin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele thuhet se “institucionet duhet të jenë transparente”.
“Institucionet publike duhet të bëjnë përpjekje maksimale që mediave t’u mundësojnë qasje të lirë te informacionet për tema me interes për opinionin. Në qoftë se gazetarët në çfarëdoqoftë mënyre janë të penguar të vijnë te informacioni i kërkuar, për këtë duhet ta informojnë opinionin. Në të njëjtën kohë, gjatë kryerjes së punës së tyre, punonjësit në media duhet të tregojnë përgjegjësi profesionale, t’i respektojnë parimet etike dhe gazetareske,” deklaruan nga ASHMAA.
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut thuhet se vendi ka arritur qasje të caktuar të gatishmërisë në fushën e lirisë së shprehjes, por edhe se ka rritje të dhunës fizike dhe verbale kundër gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, pa përmirësim të kushteve në të cilat punojnë./KlanMacedonia/