MITREVSKI: DO TË JEM I HAPUR PËR BASHKËPUNIM EDHE ME DEPUTETËT QË NUK MË VOTUAN
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në seancën e sotme plenare konstatoi dorëheqjet e kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevskit, dorëheqjen e Qeverisë, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, të deponuara gjatë ditës së djeshme.
“Në bazë të nenit 93, paragrafi 5 nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut Qeveria mbetet në detyrë deri në formimin e Qeverisë së re. Ju njoftoj se deputeti Talat Xhaferi deponoi dorëheqje nga funksioni kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut” – tha Misovski.
Në seancën e sotme po ashtu, u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit. Me 64 vota për dhe 40 kundër, deputetët votuan Jovan Mitrevskin nga LSDM, për kryetar të ri të Kuvendit.
Menjëherë pas kësaj, u zhvillua edhe ceremonia e pranim dorëzimit të funksionit.
Ndërkaq, pas kësaj ceremonie, Xhaferi dhe Mitrevski mbajtën edhe një konferencë për mediat.
“Nuk dyshoj që do të zbatojë punën, funksionin, përgjegjësinë që ka dhe bart funksioni i kryetarit të parlamentit, kështu që unë nuk e kam dilemë. Kisha nderin të jem bashkërenditës i të gjithë veprimeve dhe përkushtimit që kemi bërë për gati 7 vite bashkërisht me të dhe me deputetët tjerë” – tha Xhaferi.
Mitrevski u zotua se do të ushtroj detyrën me përkushtim dhe do të mbrojë interesin e qytetarëve, duke shtuar se, do të jetë i hapur edhe për bashkëpunim me opozitën, kur është në pyetje interesi i shtetit.
“Mbetem i hapur edhe për bashkëpunim edhe për ata deputetë që nuk më dhanë besimin. Kanë një dorë të zgjatur, derisa ndjej, derisa shoh, derisa dëgjoj se ajo është jashtëzakonisht në interes të qytetarëve dhe shtetit” – th Mitrevski.
Kujtojmë se, Talat Xhaferi ka ushtruar detyrën e kryeparlamentarit për dy mandate radhazi, ndërsa është kandidati i propozuar për kryeministër teknik. /KlanMacedonia/