Në festivalin muzikor të së shtunës disa prej të pranishmëve u morën peng nga forcat e Hamasit
Të paktën 260 trupa janë gjetur të pajetë nga vendi i një festivali muzikor në Izrael që u shndërrua në një gërmadhë, pasi u sulmua nga Hamasi. Numri i viktimave pritet të rritet në orët në vijim, duke qenë se ekipet e kërkim shpëtimit po punojnë në zonë.
Pamjet në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra persona të cilët vrapojnë për të shpëtuar sulmeve. Mes më shumë se 1000 personave që po festonin në një festival muzikor në jug të Izraelit, pranë kufirit me Gazën, kur u sulmuan nga militantë të armatosur në orët e para të së shtunës ishte edhe 25-vjeçarja Noa Argamani së bashku me partnerin e saj Avi Nathan. Disa prej tyre u morën peng nga forcat e Hamasit.
Dhimbja është e madhe tek babai i së resë i cili tregon për momentin kur pa një video të postuar “online”, ku vajza e tij lutet për jetën.
“U njoftova se kishte një video të saj në një motoçikletë ku ajo është rrëmbyer dhe është dërguar në Gaza. Po shpresoja që e gjitha kjo të ishte një gabim, që kjo nuk ishte e vërtete, pastaj një djalë në spital më pyeti nëse doja ta shihja. I thashë po, pastaj e pashë që ishte Noa e frikësuar, por në ato momente unë s’mund ta mbroja dot”.
Dhimbja e tij pasqyrohet edhe tek shumë të tjerë.
Prindër, pjesëtarë të familjes, gra e bashkëshortë të përfshirë nga tmerri dhe dëshpërimi mendojnë për fatin e të dashurve të rrëmbyer nga Hamasi.
Klan News