Izraeli thotë se ka vrarë një lider të Hamasit – Lufta në Gaza shkakton alarm ndërkombëtar

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë kreun e grupit të armatosur palestinez Hamas në Jenin dhe dy luftëtarë të tjerë, ndërsa një operacion i madh vazhdon për të tretën ditë në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Forcat izraelite të sigurisë “takuan dhe eliminuan” Wissam Hazemin në një automjet dhe më pas kryen sulme ajrore ndaj “dy terroristëve të tjerë ndërsa ata tentuan të iknin”, thuhet në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se tre burrat ishin vrarë gjatë natës pranë qytetit të Zababdeh, në juglindje të Jeninit.
Mediat palestineze raportuan gjithashtu se forcat izraelite ishin tërhequr nga Tulkarm pasi shkaktuan dëme të rënda në ndërtesa dhe infrastrukturë në kampet e refugjatëve të qytetit.

Ushtria, megjithatë, njoftoi se forcat ishin tërhequr nga kampi i refugjatëve al-Faraa pranë Tubas pasi përfunduan atë që e quajti “objektivin e parandalimit të terrorit, ekspozimit të infrastrukturës terroriste dhe eliminimit të terroristëve të armatosur”.

Të paktën 19 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit izraelit, i cili është një nga më të mëdhenjtë në Bregun Perëndimor në dy dekada, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë.

Me luftën në Gaza ende të ndezur, kjo po shkakton alarm ndërkombëtar.

Mbretëria e Bashkuar tha të premten se ishte “thellësisht e shqetësuar nga metodat që Izraeli ka përdorur dhe nga raportet për viktima civile dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile”.

Ndryshe, ka pasur një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe lufta që pasoi në Gaza.

Qindra palestinezë janë vrarë ndërsa forcat izraelite kanë intensifikuar aksionet e tyre, duke thënë se po përpiqen të frenojnë sulmet vdekjeprurëse palestineze ndaj izraelitëve në Bregun Perëndimor dhe Izrael. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share