Izraeli shqyrton dëbimin e eritreasve pas përleshjeve në Tel Aviv

Izraeli është duke shqyrtuar hapa të ashpër, përfshirë dëbimin e menjëhershëm të disa azilkërkuesve nga Eritrea, të cilat janë përfshirë në trazira të shtunën në Tel Aviv.

Rreth 170 persona janë përfshirë në përleshjet e dhunshme në mes të grupit të mbështetësve me grupin e kundërshtarëve të regjimit të Eritresë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se është kaluar “linja e kuqe”.

Ai ka urdhëruar krijimin e një plani për dëbim të të gjithë migrantëve afrikanë, të cilët i ka përshkruar si “infiltrues të paligjshëm”.

Përleshjet e pashembullta të së shtunës kanë nisur pasi aktivistët që kundërshtojnë Qeverinë e Eritresë u kanë kërkuar autoriteteve izraelite që ta anulojnë një ngjarje të organizuar nga ambasada e tyre në këtë shtet.

Ata e kanë thyer kordonin policor afër vendit ku është mbajtur ngjarja, i cili më pas është vandalizuar.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës me qëllim të shpërndarjes së protestuesve.

Ndërkohë është nisur edhe një hetim nëse është gjuajtur me armë zjarri në ajër.

Policia izraelite – të cilës i janë plagosur disa pjesëtarë – ka thënë se shumë jetë kanë qenë në rrezik.

Ndasitë brenda Eritresë për udhëheqësinë e presidentit Isaias Afwerki janë përhapur edhe në diasporë dhe ky është vetëm një prej përleshjeve të tilla që janë regjistruar javëve të fundit.

Vlerësohet se në Izrael janë rreth 18.000 azilkërkues nga Eritrea, shumica prej të cilëve kanë arritur atje në mënyrë të paligjshme.

Ata kanë thënë se i kanë ikur rrezikut dhe persekutimit në një prej vendeve me regjimet më shtypëse në botë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share