Ende nuk ka prova se Al-Shifa përdoret si qendër sulmesh, Irani deklaron se nuk do të hyjë në luftë
Forcat izraelite hodhën sërish fletëpalosje që paralajmëronin palestinezët të largoheshin nga pjesët e Gazës jugore, duke sinjalizuar një zgjerim të mundshëm të operacioneve tokësore.
Zgjerimi i ofensivës pritet të rëndojë krizën humanitare në territorin e rrethuar. Mbi 1.5 milion njerëz janë zhvendosur brenda në Gaza, ku shumica kanë ikur në jug, ku ushqimi, uji dhe energjia elektrike janë gjithnjë e më të pakta.
Ushtarët vazhduan të kontrollonin Spitalin Al- Shifa në veri, por ende nuk kanë zbuluar prova se ajo përdorej si qendër nga Hamasi, ndërsa deri më tani kanë gjetur vetëm municione të militantëve. Avionët izraelitë sulmuan shtëpinë e Ismail Haniyeh në Gaza, i konsideruar si lideri i përgjithshëm i Hamasit. Ai aktualisht jeton në Katar dhe shtëpia e tij në Gaza përdorej si qendër për organizimin e sulmeve. Ai u bë një anëtar i Hamasit në fund të viteve 1980.
Rreth 50 njerëz u vranë nga një sulm ajror në Rripin qendror të Gazës. Avionët ushtarakë izraelitë shënjestruan lagjen Sabra duke goditur dhe një xhami. Sulmet e tjera lanë tre të vdekur në shkollën malajziane në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza dhe se nëntë persona u vranë në një bombardim në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.
Komisionieri i OKB-së Volker Turk ka theksuar sërish mungesën ekstreme të ushqimit, karburantit dhe furnizimeve mjekësore në Gaza dhe paralajmëroi për pasojat e një “kolapsi të plotë” nëse përhapen sëmundjet infektive.
Nga ana tjetër udhëheqësi suprem i Iranit në një takim në Teheran me kreun e Hamasit, u shpreh se vendi i tij nuk do të hynte në luftë me Izraelin. Ayatollah Ali Khamenei deklaroi se do të vazhdojë t’i japë grupit militant mbështetjen e tij politike, por nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt.
Klan News