Izraeli shënjestron sërish Gazën jugore

Një sulm ajror izraelit në një kamp që strehonte familjet e zhvendosura në Gazën jugore vrau të paktën 12 palestinezë.

Në mesin e të vrarëve është edhe shefi i forcave policore të territorit të drejtuar nga Hamasi dhe ndihmësi i tij.

Tre fëmijë dhe dy gra janë raportuar gjithashtu në mesin e viktimave në al-Mawasi, në perëndim të qytetit të Khan Younis. Moti i ftohtë dhe i lagësht ka përkeqësuar kushtet në kampet e improvizuara.

Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi dënoi vrasjen e drejtorit të përgjithshëm të policisë Mahmoud Salah dhe ndihmësit të tij, Hussam Shahwan, të cilët thanë se kishin kryer detyrën e tyre humanitare dhe kombëtare. Ndërkaq në pjesën tjetër të Gazës, një sulm ajror izraelit u mori jetën 32 palestinezëve. Një tjetër foshnje gjithashtu ka humbur jetën nga të ftohtit në Gaza, duke e çuar numrin e përgjithshëm nga hipotermia në tetë.

Nga ana tjetër ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, i cili shpesh kishte mbajtur një linjë të pavarur kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatëve të tij të qeverisë së ekstremit të djathtë, dha dorëheqjen nga parlamenti.

Gallant u shkarkua nga qeveria në nëntor të vitit të kaluar pas muajsh mosmarrëveshjesh për drejtimin e luftës kundër Hamasit në Gaza, por mbajti vendin e tij si anëtar i zgjedhur në parlament. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për Gallant dhe Netanyahu, së bashku me një udhëheqës të Hamasit, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin e Gazës, të cilin Izraeli e ka kundërshtuar.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share