Siguria në dorë të Tel Avivit, qeverisja palestinezëve
Rripi i Gazës nuk do të jetë më nën kontrollin e plotë të palestinezëve. Këtë plan pritet të zbatojë Tel Avivi pas fundit të sulmit izraelit në territorin jug-perëndimor palestinez, që pritet edhe për shumë muaj.
Planin e bëri publik ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant, i cili tha se në të ardhmen, Izraeli do të jetë përgjegjës për sigurinë e Rripit të Gazës, por territori do të qeveriset nga palestinezët. Hamasi do të zhduket plotësisht nga Rripi i Gazës.
Qeveria izraelite planifikon edhe ngritjen e një trupe shumëkombëshe për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga konflikti që po mbush muajin e tretë e ku janë vrarë mbi 22,400 palestinezë, shumica civilë. Egjipti, si një vend ndërmjetës gjatë gjithë konfliktit pritet të ketë një rol të rëndësishëm por ende të papërcaktuar.
Plani pritet t’i parashtrohet edhe Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Bliken që do të vizitojë sërish këtë javë Izraelin.
Megjithatë, projekti po përballet me kundërshtime edhe nga krahu nacionalist brenda qeverisë, që kërkon spastrimin e Rripit të Gazës nga banorët palestinezë dhe popullimin me izraelitë.
Tv Klan