Izraeli e godet një xhami në Bregun Perëndimor, zotohet për sulme më të ashpra në Gazë

Ushtria e Izraelit tha të dielën se e ka goditur një qelizë të grupit militant, Hamas, që dyshohet se ishte strehuar në një xhami në Bregun e uzurpuar Perëndimor, si dhe paralajmëroi se do t’i ashpërsojë bombardimet në Rripit e Gazës së udhëhequr nga Hamasi.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se xhamia al-Ansar, e cila ndodhet në kampin e refugjatëve Jenin, po përdorej nga Hamasi dhe militantët e Xhihadit Islamik. IDF-ja e përshkroi këtë vend si “kompleks terrorist” që po përdorej për të planifikuar sulme.

Jenin cilësohet si bastion i militantëve palestinezë, ku Ushtria e Izraelit shpesh kryen sulme vdekjeprurëse.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy palestinezë u vranë gjatë sulmeve izraelite atje. Tre palestinezë të tjerë u vranë gjatë konfrontimeve në zonat Nablus dhe Jenin të dielën, sipas saj.

Gjendja e sigurisë në Bregun Perëndimor është e tensionuar tash e disa muaj dhe tensionet u rritën edhe më shumë pas 7 tetorit, kur militantët e Hamasit në Gazë e thyen mbrojtjen kufitare dhe u futën në jug të Izraelit duke i vrarë më shumë se 1.400 njerëz dhe duke i rrëmbyer së paku 210 të tjerë.

Kjo ka bërë që të rriten druajtjet për shpërthimin e dhunës së përditshme mes palestinezëve, ardhësve izraelit dhe ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.

Sipas Ministrisë palestineze, 90 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor në dy javët e fundit. Ndërsa, që nga fillimi i këtij viti janë vrarë 286 palestinezë.

Ndërkohë, bombardimet izraelite në Rripin e rrethuar të Gazës kanë vazhduar pareshtur edhe mbrëmjen e së shtunës dhe mëngjesin e së dielës.

Më shumë se 4.300 njerëz janë vrarë në Gazë si pasojë e bombardimeve izraelite që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së udhëhequr nga Hamasi.

Kjo shifër nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se Izraeli do t’i ashpërsojë sulmet kundër Hamasit në Rripin e Gazës para pushtimit të pritur tokësor.

“Ne jemi futur në fazën e radhës së luftës në kushtet më të mira”, tha Hagari të shtunën mbrëma.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share