Vjosa Osmani del kundër Kurtit: Izolim i vendit, lojë kumari me aleanca

“Bixhoz me aleanca”.

Në këto lente e intepretoi kursin e qeverisë kosovare karshi aleatëve strategjikë dhe të sigurisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tash gati pas katër vitesh – ani pse implicit dhe në heshtje gjer më sot ka miratuar politikat e kryeministrit, Albin Kurti.

Osmani, përkthyeshëm, në fjalimin e saj vjetor, la të kuptojë izolim ndërkombëtarë të vendit, lojë kumari me aleanca strategjike dhe të sigurisë – duke u bërë (Aha! pas katër vitesh) zëri i arsyes në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim”, tha Osmani.

Lajtmotivi i saj ishin: aleancat dhe aleancat.

“Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhje. Ato janë gurthemel i sukseseve tona (…)”

“(…) dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”.

“Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet”.

“As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”.

Tek tash, Osmani pretendoi se ka qenë ajo që i ka qëndruar esëllisë për çështjen e Asocacionit; dhe që, qysh herët, ka kërkuar draftim të Asociacionit e jo lënien e tij në duart e burokratëve të shteteve mosnjohëse.

Për këtë, pretendoi ajo, ka pasur “sulme të ulëta”:

“Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës (…)”.

“(…) kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa ‘ekspertë të jashtëm’, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”.

“Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur”, tha mes tjerash ajo.

Temë i bëri edhe çështjen ditë e më të debatuar për shqiptarët në Maqedoni të Veriut; përkatësisht sfidimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga partia nacionaliste VMRO.

Osmani ka vlerësuar se ka shqetësime të shumta në mesin e shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Në të njëjtën kohë, ne shohim shqetësime të shumta në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut sa i përket të drejtave të fituara me Marrëveshjen dhe dua t’i sigurojë të gjithë se do t’i bëjme çmos që të mos bëhet asnjë hap prapa, por vetëm përpara” – tha Osmani.

“Prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre, do të përballët me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej” – tha tutje Osmani.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share