Cramon: Nëse Vuçiqi s’e do BE-në, s’duhet t’i marrë as paratë e saj

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, deklaroi se duhet të ketë kushte të forta për paratë nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përmes mediave që ai kontrollon, diskrediton Unionin, ndërsa merr para prej tij.

“Teorikisht, parakushtet për zgjerim nuk mund të ishin më të mira. Dhe tani ne i kemi edhe paratë në duart tona”, tha Von Cramon për DW, duke kujtuar se presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ishte në Ballkanin Perëndimor këtë javë dhe se, siç thotë ajo, “po përpiqet të shpërndaj ato para”.

Ajo shtoi se beson se është gabim të japësh para dhe të mbështetësh infrastrukturën pavarësisht se çfarë politike po ndiqet në një vend të caktuar.

“Por, çfarë do të bëja unë? Sigurisht që do të më duhej ta kushtëzoja fort, që do të thotë se nuk mund të jap vetëm para, veçanërisht jo për një vend si p.sh. Serbia, ku shoh se vlerat themelore të Bashkimit Evropian janë duke u shkelur qartë”, tha eurodeputetja nga Gjermania dhe shtoi se në Serbi “opozita nuk ka qasje në media, se aktivistët sulmohen, se nuk ka shtyp të lirë dhe të pavarur”.

Ajo kujton se Gjermania është një nga investitorët më të mëdhenj në Serbi dhe për këtë në dhjetë vitet e fundit janë krijuar më shumë se tetëdhjetë mijë vende pune, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo krijoi prosperitet ekonomik, por gjithashtu i lejoi Vuçiqit të çimentonte fuqinë e tij politike. Ne do të duhej të përfitonim nga kjo. Do të duhej të futeshim në të shumë më shumë politikisht dhe të themi: ‘Ne presim këtë dhe atë nga ju’. Kjo duhet thënë para kamerave. Njerëzit duhet të kuptojnë se Vuçiqi kontrollon shtypin dhe se ai ka vite që lejon Bashkimin Evropian, për ne në Perëndim, të diskreditohet vazhdimisht atje. Dhe ai mori paratë”, tha ajo.

Ndërsa samiti i Procesit të Berlinit po zhvillohej në Tiranë, Vuçiqi vizitoi Kinën dhe, siç tha Von Cramon, “në fakt i goditi me shkelm në prapanicë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, si dhe kolegët e tij në Ballkanin Perëndimor”.

“Unë nuk mendoj se duhet toleruar. Nëse dikush nuk është i interesuar për Bashkimin Evropian, atëherë ai mund të vazhdojë të luajë pa Bashkimin Evropian, por atëherë nuk ka nevojë as për paratë e tij. Dhe ne e dimë se ajo varet nga ato para. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ata duhet të përdorin më shumë atë hartë dhe atë instrument”, beson Viola von Cramon.

Duke folur për Kosovën dhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Von Cramon vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit është një “bazë e mirë”, qëllimi i së cilës është që “t’ia mundësojë Kosovës të ndërmarrë hapat e ardhshëm dhe të materializojë qëndrimin e saj pro-evropian, reformat e saj, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

Mirëpo, siç theksoi ajo, “sado e hidhur të jetë, duhet të plotësohet një kusht, e ai është të paraqitet në një formë propozimi për formimin e asociacionit të komunave (me shumicë) serbe. Dhe përderisa është kaq e vështirë kjo – dhe kjo është nënshkruar dy herë, në 2013 dhe 2015 – sigurisht që i gjithë procesi po ngec”.

“Nëse të dyja palët tregojnë një vullnet politik për të arritur një kompromis, ne mund të bëjmë një hap të madh përpara”, tha Von Cramon.

Ajo vlerësoi se “një pjesë e madhe e provokimeve vijnë nga Serbia, sigurisht që nuk ka dyshim – por duhet të shohim që edhe Kosova i kontribuon kësaj”. /Klankosova.tv

Lexo gjithashtu
Total
0
Share