E mërkura ditë zie kombëtare. Funerali shtetëror do të mbahet në Katedralen Duomo
Që në orët e para të mëngjesit të së martës, qindra mbështetës vendosën lule para rezidencës. Në një banderolë e madhe shkruhej “Faleminderit, zoti president”. Dhjetëra flamujt të Forza Italia dhe ato të skuadrës së Milanit në përkujtim të ish-kryeministrit dhe presidentit të Silvio Berlusconi. Vilën e tij e viziton një rreth i ngushtë njerëzish dhe ceremonia do të jetë private me kërkesë të familjes.
Që prej pasdites së të hënën arkë morti qëndron në Villa San Martino, në Arcore në vendlindjen e Silvio Berlusconi-t. Banorët e kësaj qyteze ndihen të trishtuar.
“Vdekja e Berlusconi-t ishte një lajm mjaft tronditës. Lajmin e dëgjova në radio në orën 09:30. Nuk e prisja sepse kishte dalë nga spitali dhe dukej se ishte mirë. Dëgjuam këtë lajm shumë të keq dhe jemi shumë të trishtuar. Më vjen keq për qytetin e Arcore dhe për të gjithë Italinë, sepse Berlusconi ishte një person i madh”.
Ka nga ata që e vlerësojnë për atë që ka dhënë për skuadrën e Milanit.
“Ai ishte presidenti më i mirë që ka pasur ndonjëherë Milan. Ai do të jetë gjithmonë në zemrat tona”.
Funerali shtetëror është parashikuar të mbahet në Katedralen Duomo në Milano. Në ceremoninë e lamtumirës do të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës Sergio Mattarella, kryeministrjaitaliane Giorgia Meloni si dhe liderë të tjerë politikë. Ceremonia do të drejtohet nga Kryepeshkopi Mitropolitan i Milanos, Imzot Mario Delpini. E mërkura do të jetë ditë zie kombëtare dhe flamujt e institucioneve do të ulen në gjysmështizë.
Pothuajse të gjitha mediat në Itali kishin vendosur të njëjtin titull: Lamtumirë Silvio Berlusconi.
Ish-kryeministri 86-vjeçar ndërroi jetë rreth 09:30 minuta të së hënës. Ai ndodhej i shtruar në spitalin San Rafaele të Milanos pasi vuante nga leucemia dhe pneumoni në mushkëri.
Klan News