Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, kërkoi të enjten nga Kosova dhe Serbia normalizim të plotë të marrëdhënieve, pasi një ditë më parë u arrit një marrëveshje mes dy vendeve për targat.
Pas telefonatave me liderët nga Kosova dhe Serbia, Tajani tha se “tani është e nevojshme të vazhdohet në rrugën e dialogut dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve”.
Tajani, i cili i vizitoi kryeqytetet e dy vendeve, Prishtinën dhe Beogradin, të martën, bashke me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, shtoi se “e ardhmja e Ballkanit është në Evropë dhe Italia është e gatshme të luajë rol udhëheqës në këtë rajon”.
Italia aktualisht e drejton misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, dhe është shteti me kontributin më të madh sa i përket numrit të trupave në Kosovë.
Para takimit të së mërkurës në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, aleatet perëndimore kishin paralajmëruar se mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet në dhunë ndëretnike.
Mirëpo, një gjë e tillë u parandalua gjatë negociatave në Bruksel, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe, sikurse ato KM (Kosovska Mitrovica – Mitrovica e Kosovës).
Më 22 nëntor, me kërkesë të SHBA-s, Kurti e kishte shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.
Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.
Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.
Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.