Ish anëtari i UÇK’së, Blerim Ramadani, është arrestuar dje në vendkalimin kufitar Jazhincë, Maqedoni të Veriut pasi ndaj tij kishte fletarrest të lëshuar nga Serbia. Nga MPJD kanë thënë se ai po mbahet në Tetovë dhe se fletarresti është lëshuar nga Serbia me pretendimet se ai ka kryer “krime lufte kundër popullatës serbe” në rajonin e Ferizajt në verën e vitit 1999.
Gazeta Express
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar mbrëmë se janë informuar për arrestimin e një shtetasi kosovar nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Bëhet fjalë për ish anëtarin e Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së, Blerim Ramadani.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga MPJD kanë thënë se Ramadani aktualisht është në mbajtje në Tetovë dhe fletarresti është lëshuar rishtazi nga Serbia me pretendimet për “krime lufte ndaj popullatës serbe” në rajonin e Ferizajt në verën e vitit 1999.
“Ai është aktualisht në mbajtje në Tetovë dhe fletarresti nga Serbia është lëshuar rishtazi, me pretendime për kinse krime ndaj popullatës serbe në rajonin e Ferizajit në verën e vitit 1999.”
MPJD ka thënë se po punojnë me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të Ramadanit.
“Pas marrjes së këtij lajmi, Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, z. Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast. Si MPJD jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të z. Ramadani”, kanë thënë nga MPJD për Express.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në një konferencë për media është pyetur për këtë çështje. Ai tha se janë në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Kurti shtoi se po punojnë që të marrin vesh më shumë dhe që të mos ketë “nënshtrim ndaj agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës”.
“Ndërkaq Ministria jonë e Drejtësisë dhe jo vetëm janë në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, me sektorët përkatës atje, në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që të mos ketë nënshtrim ndaj agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës, që reflektohet edhe në fletarreste të tilla për qytetarët tanë”, tha ai.
Në Maqedoni të Veriut me Ramadanin ishte edhe bashkëshortja Valbona e cila tregoi për momentin e arrestimit.
“Arrestimi ka ndodhur dje, rreth orës 13:20, na ndaluan në kufi, për kontrollë të dokumentave,” ka thënë Ramadani në Dukagjin.
Ajo ka thënë se Blerimi është arrestuar për shkak se ishte në UÇK.
“I kanë thënë që ndalesa është për shkak të pjesëmarrjes në UÇK, kam folur me ta,mire ka qenë sjellja e tyre ndaj tij dhe ndaj meje, ka qenë shumë e mirë,” shtoi Ramadani.
Blerim Ramadani i kishte bërë shoqëri bashkëshortes së tij për në qytetin e Tetovës, pasi Valbona studion atje.
Arrestimin e Ramadanit e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
“Me datë 17.07.2024 në ora 16:00 në vendkalimin kufitar Jazhincë, me të hyrë në shtet, zyrtarët policorë e kanë ndaluar B.R. (47 vjeçar) nga Kosova pasi gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai ishte i regjistruar me “Apsi” me kërkesë të Serbisë dhe ai i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme”, tha MPB’ja e Maqedonisë së Veriut.
Aktualisht në burgjet e Serbisë po mbahen pesë kosovarë , të cilët Beogradi i akuzon për “krime lufte”. Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga homologia serbe transferimin e tyre.
Por, Haxhiu ka thënë se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik. /GazetaExpress/