Ish-kryetarja e Preshevës: Escobar dhe Lajçak, ju ftoj që të na takoni edhe neve shqiptarëve në Serbi

Ish-kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka shprehur keqardhje nga të dërguarit amerikan për Ballkanin Përndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për faktin se asnjëri nga këta nuk i takuan të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi.

Sinani i ka kërkuar Lajçakut e Escobarit që t’i takojë, qoftë edhe veç për t’i dëgjuar të zgjedhurit shqiptarë në Serbi.

“Z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, shkroi ajo.

Ajo tha se është i kuptueshëm takimi i Escobarit e Lajçakut me kryetarët e katër komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës”.

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane”, është shprehur Sinani, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ajo përmendi faktin se Lugina e Preshevës si rajon por edhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimi të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi”.

“Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi”, shkroi Sinani, përcjell Klankosova.tv.

Ajo tha se përfshirja e të zgjedhurve nga të dyja palët në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballakanit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share