Ish-kryeministri Alexander Stubb zgjidhet president i Finlandës

Stubb do të marrë zyrtarisht detyrën me 1 mars dhe do të marrë drejtimin në politikën e jashtme

Alexander Stubb i Partisë së Koalicionit Kombëtar të qendrës së djathtë fitoi ngushtë zgjedhjet presidenciale të Finlandës, duke mundur anëtarin liberal të Partisë së Gjelbër Pekka Haavisto, i cili pranoi humbjen.

Ai siguroi 51.6% të votave pasi ishin numëruar 99.7% e votave, kundrejt 48.4% të Haavisto-s. Pasi u konfirmua presidenti i ardhshëm i Finlandës, Stubb tha se do të dëshironte të vazhdonte në linjën e Niinisto, por duke theksuar se është e kuptueshme që një epokë e re po fillon.

“Gjithçka që mund të them është se fushatat zgjedhore në Finlandë janë të drejta. Ato janë të lira dhe sapo kaluam një periudhë të mirë gjashtëmujore kur nëntë kandidatë sfiduan njëri-tjetrin me respekt. Për ne, politika e jashtme dhe e sigurisë është ekzistenciale dhe do të vazhdojë të jetë kështu. Ne kemi një mbrojtje shumë të fortë. Ne jemi anëtarë të BE-së dhe NATO-s, dhe sigurisht, kemi një marrëveshje të re bashkëpunimi për mbrojtjen me Shtetet e Bashkuara.”

Mes të tjerash Stubb theksoi se është e vështirë të ketë ndonjë lloj dialogu politik me Putinin për sa kohë që Rusia po zhvillon një luftë agresive kundër Ukrainës.

Stubb do të marrë zyrtarisht detyrën më 1 mars, duke zëvendësuar Sauli Niinisto. Votimi shënon një epokë të re në Finlandë, e cila për dekada ka zgjedhur presidentë për të nxitur diplomacinë, veçanërisht me Rusinë fqinje.

Alexander Stubb do të ketë një rol qendror në përcaktimin e politikave të NATO-s të Finlandës, duke marrë drejtimin në politikën e jashtme dhe të sigurisë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe duke vepruar si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share