Ish-ambasadorët: Kurti ka dështuar në Diplomaci

Kritikojnë qeverinë për mospërparim në politikën e jashtme, të papranueshme sanksionet e BE

Ndonëse situata në veri është qetësuar, Kosova mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Europian. Për njohës të cështjeve politkie në Prishtinë kjo është e papranueshme dhe kritikojnë qeverinë Kurti për këtë situatë.

“Unë besoj që Kosova gjendet në pozitat më të vështira në historikun e vet si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare. Në momentin kur ne po flasim  Kosova është një vend nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe është i vetmi vend, duke përjashtuar Rusinë e Bjellorusinë, e cila në kontinentin evropian nuk ka status të kandidatit zyrtar për dallim prej vendeve tjera dhe Kosova është në një trysni të shtuar nga aleatët tanë që të lëviz para disa nga obligimet të cilat i ka në raport me miqtë ndërkombëtar e posaçërisht me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj

Për ish ambasadorët vendi ka humbur respektin e ndërkombëtarëve.

“Ne kemi pasur në vitet 90-ta Kosova është udhëhequr nga një Lëvizje ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kemi qenë shtet por kemi qenë të respektuar. Politika e jashtme e Kosovës është më e dobët, është më e parespektuar dhe pa vizion e pa strategji dhe në krahasim me atë politikë të jashtme të viteve të 90-ta kur nuk kemi qenë fare shtet, tani jemi shumë më të dobët. As nuk jemi të respektuar, as nuk jemi të vlerësuar dhe sot mundesh me pa edhe në komunikimet pothuajse nuk e kemi asnjë vend të Evropës që fuqishëm qëndron prapa qëndrimeve të Qeverisë sonë, as në Evropë e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Avni Arifi, ish-ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“15 vjet të raporteve të Kosovës me botën sidomos me demokracinë perëndimore kanë qenë një rrugë e gjatë, e frytshme, me probleme sigurisht, por në këtë rrugëtim ne duhet të bëjmë përpjekje në rend të parë që të ruajmë miqësinë me vendet, sidomos ato që kanë ndihmuar shtet-ndërtimin e aspiratave të kosovarëve për pavarësi dhe duhet të jemi serioz në qasjen tonë në diplomacinë evropiane që në të merremi seriozisht”, deklaroi ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu

Gjatë vitit që lamë pas  politika e jashtme e Kosovës u fokusua te dialogu me Serbinë. Ndonëse pati disa takime me Beogradin nuk pati rezultate konkrete dhe cështja e asociacionit mbetet sërish e hapur./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share