Presidenti iranian Ebrahim Raisi u prit ngrohtësisht në Moskë nga presidenti rus Vladimir Putin ndërsa në qendër të diskutimit ishte lufta Izrael-Hamas. Asnjë nga liderët nuk iu referua bashkëpunimit ushtarak në rritje të vendeve të tyre një burim shqetësimi për Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se Irani po furnizon Rusinë me armë për t’i përdorur kundër Ukrainës.
“Jemi duke bërë projekte të mëdha infrastrukturore që i kemi diskutuar prej kohësh, kemi ardhur deri te zbatimi praktik i ndërtimit të hekurudhës Veri-Jug”.Raisi e quajti situatën në Gaza një genocid, ndërsa Putin u shpreh se është shumë e rëndësishme të diskutohet situata në Lindjen e Mesme, veçanërisht në territoret palestineze.
“Arsyeja që njerëzimi po vuan janë vendimet e njëanshme të marra dhe sistemi i padrejtë global. Ajo që po ndodh në Gaza është sigurisht gjenocid dhe një krim kundër njerëzimit”.
Presidenti rus Vladimir Putin bëri një turne të rrallë njëditor në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit ai vizitoi Arabinë Saudite pas një udhëtimi të shkurtër në Emiratet e Bashkuara Arabe. Udhëtimi i Putinit në rajon është i pari i tij që nga korriku 2022, kur ai takoi liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei në Iran.
Irani ka mbështetur që nga nisja e luftimeve grupin militant palestinez Hamas. Rusia ka marrëdhënie me të gjithë aktorët kryesorë në rajon, duke përfshirë Hamasin dhe Izraelin, ndërsa u kritikua për pritjen e një delegacioni të Hamasit në Moskë në tetor.
Analistët thonë se konflikti e ka ndihmuar Rusinë duke tërhequr vëmendjen botërore nga lufta në Ukrainë dhe duke i mundësuar Moskës të solidarizohet sikurse me vendet në zhvillim duke bërë thirrje të ndalen vrasjet e civilëve.
Klan News