IPP Arben Xhaferi: Kryefjala e raportit të progresit është “nuk ka progres”, madje RMV ka shënuar regres në luftën kundër krimit të organizuar

Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi ka analizuar raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut të publikuar dje, më 8 nëntor 2023, për të vlerësuar përparimin e vendit krahasuar me vitin paraprak. Ky vlerësim bazohet në metodologjinë e një raporti të Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi nga viti i kaluar ku ishin analizuar raportet e progresit nga viti 2015 e deri në vitin 2022.

Ajo që bie në sy në raportin e progresit 2023 është se përparimi në nivel të përgjithshëm është thuajse i papërfillshëm. Vlerësimi “no progress” (nuk ka progres) është fjala kyçe e këti raporti, e cila shfaqet 40 herë përbrenda raportit. Shprehja “limited progress” (progres i kufizuar) në anën tjetër shfaqet 30 herë.

Por si qëndron gjendja përbrenda gjashtë kllasterëve, sipas metodologjisë së re për zgjerim? A ka shenja progresi në kapituj të caktuar të legjislacionit evropian?

Sa i përket parimeve të shtetit të së drejtës, në luftën kundër krimit të organizuar kemi shënuar regres sipas Komisionit Evropian, duke dëshmuar për dështimin e qeverisë në këtë rrafsh. Niveli i përgatijes është përmirësuar vetëm në fushën e lirisë së shprehjes krahasuar me vitin paraprak.

I vetmi kllaster ku ka progres sipas vlerësimit të Komisionit Evropian është kllasteri 3, konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, falë një përparimi margjinal në kapitullin politika ekonomike dhe monetare, nga një përgatitje mesatare në vitin 2022, në një përgatitje që tani është midis përgatitjes mesatare dhe përgatitjes së mirë. Në të gjitha kllasterët e tjerë, gjendja ngelet e pandryshuar.

Analiza e Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi të raporteve të progresit të Komisionit Evropian duke filluar nga viti 2015, që rastis të jetë edhe viti i fundit të qeverisjes Gruevski, e deri në raportin e fundit, të vitit 2023, dëshmon se impakti i reformave të qeverisë aktuale në përafrimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në vazhdon të ngelet i papërfillshëm.

Kemi një stagnim thuajse total dhe në çdo fushë, siç dëshmohet nga vlerësimi në tërësi i 33 kapitujve. Progresi në lirinë e shprehjes dhe në politikën ekonomike e monetare, nuk mbulon regresin në luftën kundër krimit të organizuar.

Kjo dëshmon se procesi i deritanishëm i zgjerimit ka dështuar të nxisë reforma të mirëfillta institucionale. Fatkeqësisht, nuk ka rrugë të shkurtër në përmbushjen e standardeve evropiane. Pa u krijuar bindja në kryeqytetet e BE-së se vendet kandidate kanë përgatitje të mirë, nga peshkataria e deri të siguria nukleare, asnjë vend nuk do të mund të anëtarësohet në BE. Rrjedhimisht, RMV do të vazhdojë të prodhojë mjerim, migrim e dëshpërim” – thonë nga ky institut.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share