Investimi në zonën e Kërçovës, BDI: Projekti i Qeverisë së kaluar – Qeveria për 6 muaj promovoi përçarje dhe polarizime!

Qeveria njoftoi se në Zonën Inustriale të Kërçovës, në mënyrë solemne është vendosur gurthemeli për ndërtimin e fabrikës për bateri elektronike për vetura, të një kompanie nga Belgjika.

Sipas Qeverisë, ky investim me vlerë 40 milion euro parashikon hapjen e 600 vendeve të reja të punës. Në fazën e parë, sipas qeverisë, investimi është në vlerë prej 10 milion euro, me angazhimin e 200 të punësuarve, që sipas tyre, paraqet një fillim të mbarë dhe nxitje të fuqishme për ekonominë lokale.

“Me projekte të këtilla, jo vetëm që zhvillojmë ekonominë, por hapim mundësi që të rinjtë të mbeten në Maqedoni. Është koha të ndalim migrimin që ishte një realitet i hidhur në të kaluarën dhe të tregojmë se bashkë mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë”, thonë nga Qeveria. 

Kanë reaguar nga BDI-ja. Sipas integristëve, Investimi në Kërçovë, është projekt i qeverisë së kaluar duke I bërë thirrje autoriteteve qeveritare se është koha të kenë së paku një projekt të tyre.

“Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet fillimin e punimeve të kompanisë belge në Kërçovë, e cila vendosi gurthemelin në prill të vitit 2024, ndërsa marrëveshja për investimin ishte nënshkruar në maj të vitit 2023 nga ish-Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ky investim është një vazhdim i përpjekjeve të qeverisë së kaluar për të tërhequr investitorë dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik në rajon dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Por është për të ardhur keq manipulimi dhe falsifikimi i të vërtetës nga ana e Qeverisë aktuale në lidhje me investimet e huaja”, thonë nga BDI. 

Qeveria aktuale, sipas BDI-së, ka dështuar në këto 6 muaj të promovojë as edhe një vizion, ide apo projekt për zhvillimin e vendit dhe ka qenë e fokusuar vetëm në përpjekjet për të manipuluar përçarjet, konfliktet dhe polarizimin për përfitime politike të momentit.

Duke e shfrytëzuar politikën si një mjet për të mbuluar dështimet e saj, integristët thonë se kjo qeveri po e dëmton të ardhmen e vendit dhe po e bën shoqërinë më të ndarë. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share