Inversion temperaturash! Lugina në RMV nën “pushtetin” e mjegullës!

Në Maqedoninë e Veriut vazhdon i ashtuquajturi “inversion temperaturash” ku luginat janë të mbështellë nga mjegulla dhe me mot të ftohtë kurse në viset malore, qendrat e skijimit mbretëron mot me temperatura më të larta.

Ky fenomen, sipas MeteoAlarm, është për shkak të ndikimit të Anticiklonit, respektivisht fushës së presionit të lartë ajror që gjendet mbi viset tona që rezulton me lagështi të madhe në ajër dhe mjegulla të dendura nëpër shumë lugina të vendit kryesisht në Pollog, Luginën e Vardarit dhe Pellagonisë.

Nëpër rrjete sociale shpërndahen fotografi dhe pamje të qyteteve të mbërthyer nga mjegulla e dendur derisa në viset më të larta mbretëron mot me diell.

I tillë është rasti me Shkupin I cili ngulfatet nga smogu, kurse në Vodno moti me diell paraqet magnet për vizitorët.

Moti me diell është mirëpritur në viset malore dhe në Qendrat e Skijimit. Në këtë fundjavë të gjitha rrugët çojnë drejt këtyre qendrave turistike dimërore.

Në Kodrën e Diellit trashësia e dëborës është 38 centimetra, në Anet e Mavrovës – 29 centimetra, Krushevë – 11 dhe Manastir – 9.

Metereologët, duke u thirrur në parashikimet numerike, njoftojnë se në Luginën e Shkupit dhe pjesë të Pellagonisë, moti sërish do të jetë me mjegull por në orët e pasditës me nuanca të intensitetit më të dobët, sic thuhet, për shkak të deformimit të fushës së presionit atmosferik, kurse dukshmëria do të jetë 100 deri 150 metra.

Sipas MeteoAlarm, me përditësimin më të ri të modelit të parashikimeve, me fillimin e shkurtit priten temperatura të ulëta të ajrit, erë veriore dhe rikthimi i reshjeve të borës dhe periudhës me mot të ftohtë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share