Intonimi i himnit në shkolla, reagon BDI/ Ilire Dauti përplaset me Izet Mexhitin, heshtin deputetët e VLEN-it

Ligji për arsim të mesëm dhe intonimi i himnit në shkolla të mesme, ka përplasur përsëri subjektet politike shqiptare në Kuvend.

Deputetja e Frontit Europian, Ilire Dauti ka adresuar kritika për koalicionin VLEN dhe ka pyetur zëvendëskryeministrin Mexhiti se cili është mendimi i tyre për këtë ligj. Dauti ka pyetur Mexhitin edhe për rolin e VLEN në Qeveri.

Deputetja Dauti ka zbuluar edhe faktin se në ligjin për arsim të mesëm kërkohet që për tu emruar drejtor në një shkollë, kandidatët të testohen për nivelin sa e njohin gjuhën maqedonase.

“Ju duhet të tregoni, jeni që himni të këndohet nga nxënësit dhe mësimdhënësit në fillim dhe në fund të vitit shkollorë, kjo ishte pyetja ime. Cili është qëndrimi juaj dhe pse silleni si pa kokë, në Qeveri dhe në kuadër të Kuvendit. Kërkohet që drejtorët të testohen për njohuritë e gjuhës maqedone, ndërkaq, duke pasur parasyshë faktin dhe realitetin multi-etnik këtu në RMV ku shum shkolla kanë nxënës me nacionalitet të përzier atëherë pse e njëjta gjë nuk është bërë edhe për drejtorët maqedonas ta njohin dhe të testohen për gjuhën shqipe” – thonë Ilire Dauti.

Për çështjen e himnit kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Bashkimi Demokratik për Integrim  dënon ashpër kalimin e fazës së parë  të propozim-ligjit për ndryshime në arsimin e mesëm, që imponon zgjidhje monoetnike dhe cenon frymën e bashkëjetesës ndëretnike.  Ky ligj është një hap prapa dhe i papranueshëm për një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut. Edhe më e turpshme është sjellja e koalicionit VLEN. Duke mos votuar, ata heshtën dhe praktikisht dhanë mbështetje për këtë ligji. Midis frikës nga zemërimi i popullit që aq shumë e kanë nënçmuar dhe frikës nga patronët  e tyre të VMRO-DPMNE-së, ata mbetën të paralizuar” – thonë nga BDI.

Duke mos pasur përgjigje konkrete Mexhiti tha se Qeveria prioritet kryesor e ka arsimin dhe përmirësimin e nivelit të arsimit. Duke u ndërlidhur me pyetjen e Dautit, Mexhiti përmendi edhe një vendimin që kishte marrë një këshilltarë i BDI-së në Komunën e Velesit, mu për çështjen e himnit.

“Edhe tek çështja e himnit, duhet që atë që e thoni edhe ta bëni. Në komuna vendos themeluesi dhe ligjet janë ende në procedurë po e bëj pyetjen, pse këshilltari i BDI-së në Veles ka votuar pro këtij ligji, ju diçka bëni, tjetër sen flitni, tjetër send mendoni, por populli shumë lehtë ju lexon në veprimet dhe mendimet tuaja” – tha Mexhiti.

Për çështjen e himnit edhe sot nuk kanë pranuar të prononcohen deputetët e koalicionit VLEN.

Kujtojmë, ligji për arsim të mesëm ka kaluar njëherë në seancë plenare dhe për miratimin e tij duhet edhe shumica e badinterit. Deputetët t Frontit Evropian votuanh kundër dhe kanë paralajmëruar dorëzimin e qindar amendamenteve për përmirësimin e  Ligjit në fjalë. Deputet e VLENI-it edhe pse ishin në sallë nuk votuan as kundër, as pro, e as të përmbajtur.  Sipas informacioneve të Klan Maqedoni, seanca për lexim të dytë në komisionin për arsim është caktuar për të premten. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share