Shiten të gjitha biletat për sfidën që do të luhet me 10 Shtator në “Air Albania” në kualifikueset e Euro 2024
Stadiumi “Air Albania” do të jetë i mbushur plot për takimin Shqipëri-Poloni që do të luhet më datën 10 Shtator.
Takimi i vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’ ka ngjallur interes të madh te tifozët kuqezinj, që duan të jenë në stadium për të mbështetur përfaqësuesen e drejtuar nga Silvinjo.
Federata Shqiptare e Futbollit ka falenderuar fansat që kanë vendosur të jenë në stadium për të mbështetur kombëtaren.
Atmosfera në “Air Albania” do të jetë e zjarrtë, me kuqezinjtë që do të luajnë një ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikueset e europianit Gjermani 2024.
Tekniku brazilian do të ketë në dispozicion gjithë grupin në seancën e parë të mbasdites të së hënës në “Shtëpinë e Futbollit.
Kuqezinjtë do të stërviten edhe të Martën në Tiranë ndërkohë që më 6 Shtator do të udhëtojnë drejt Pragës, ku 24 orë më pas do të ndeshen me Republikën Çeke.
Më datë 8 Shtator Kombëtarja do të kthehet në Tiranë për të vijuar me përgatitjet.
Në listën e fubollistëve të grumbulluar nga trajneri Silvinjo pati risi.
Braziliani nuk ka thirrur Amir Abrashin dhe Anis Mehmetin, ndërsa ka rikthyer Klaus Gjasulën dhe Odise Roshin. Për herë të parë janë grumbulluar Mirlind Daku dhe Arbnor Muja ndërsa nuk ka asnjë emër nga kampionati shqiptar i futbollit.
Sfidat e kombëtares kuqezi të vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian “Gjermani 2024” do të transmetohen nga televizioni Klan.
Klan News