Intensifikohen sulmet izraelite ndaj Gazës

Rriten shqetësimet për përhapjen e konfliktit në rajon

Të paktën 55 palestinezë u vranë gjatë natës së të shtunës në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite. Autoritetet vendase thanë se ushtria e Tel Avivit ka intensifikuar sulmet ajrore duke mos kursyer as civilët. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se nga sulmet ajrore dhe raketore të Izraelit janë vrarë deri tani rreth 4400 palestinezë, mes tyre edhe qindra fëmijë.

Të paktën 1 milionë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ajo që po shqetëson më tepër tashmë ndërkombëtarët është shqetësimi në rritje se konflikti mund të përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme. Një sulm raketor izraelit goditi gjatë natës aeroportet ndërkombëtare të Damaskut dhe Aleppos në Sirinë fqinje duke vrarë 2 punëtorë civil dhe duke i nxjerrë aeroportet jashtë funksionit.

Izraeli tha se këto aeroporte i shërbenin Iranit për të furnizuar me armatime grupin e Hezbollahut në Liban, partner i Hamasit. Tel Avivi konfirmoi një tjetër sulm ndaj Hezbollahut natën e së shtunës. Për shkak të këtyre tensioneve Shtetet e Bashkuara dërguan të tjera trupa dhe mjete ushtarake në zonë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi kryeministrin në detyrë të Libanit se populli i tij do të dëmtohej nga kriza në vendi përfshihet në konflikt. Izraeli vijon të mbajë të mbërthyer rripin e Gazës në pritje të një sulmi masiv tokësor.

Të shtunën u lejuan vetëm 20 kamionë me ndihma për civilët e lënë pa ujë, ilaçe, energji dhe karburant.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share